Ushtria ukrainase pretendon se ka rrëzuar 41 mjete ajrore pa pilot (UAV) ruse të tipit “Shahed”, shumica prej tyre në rajonin e Odesës.
Në deklaratën e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës thuhet se si rezultat i sulmeve të Rusisë në rajonin e Odesës, 11 persona, përfshirë 3 fëmijë u plagosën. Një zjarr shpërtheu në një automjet dhe në një ndërtesë si dhe janë dëmtuar ndërtesat përreth.
Në deklaratën e Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës thuhet se ushtria ruse nisi sulme në territorin ukrainas gjatë natës me dronët “Shahed” dhe raketa kundërajrore S-300.
“Rusia ka lëshuar 6 raketa në drejtim të rajoneve Mikolaiv dhe Kherson ndërsa 42 dronë rusë janë zbuluar në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe se drejtimi kryesor i sulmeve ishte rajoni i Odesës”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se si rezultat i operacioneve luftarake u rrëzuan 41 dronë, shumica e të cilëve në rajonin e Odesës.