Ukraina para mobilizimit të ri kohë e shkurtër trajnimi

schedule08:13 - 28 Gusht, 2023

schedule 08:13 - 28 Gusht, 2023

Qeveria ukrainase po përgatitet për një mobilizim të ri. Ndërkohë ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksi Makeiev e sheh mbështetjen hezituese të perëndimit si shkak për vështirësitë e kundërofensivës ukrainase.

Sipas të dhënave të veta, qeveria ukrainase po përgatitet për mobilizim të ri. “Po, ushtarakët na janë drejtuar dhe do të ketë mobilizim të ri”, tha sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Oleksij Danilov për radion e vendit. Shpallja e mobilizimit nuk do të dalë përtej parametrave të vendosur me fillimin e luftës, 24 shkurt 2022. Sipas Danilov kjo nuk është një masë e pazakontë. Mobilizimi është në vijimësi prej një viti e gjysmë, në disa etapa. “Nuk ka nevojë për kaq shumë zhurmë, zhvillimet shkojnë sipas planit që ndjekim tani”, tha Danilov. Ndërkohë ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksi Makeiev është i mendimit, se mbështetja hezituese e perëndimit është shkak për vështirësitë e kundërofensivës ukrainase. “Rusia kishte kohë të barrikadohej”, ka thënë ai për radion Deutschlandfunk.

Ukraina shpalli mobilizimin pas invazionit rus (24.shkurt.2022) dhe vendosi ligjin e luftës. Të gjithë meshkujt nga mosha 18 deri 60 vjeç janë të thirrur për të kryer shërbimin ushtarak dhe mund të thirren në luftë, nëse nuk kanë probleme shëndetësore ose janë baballarë të vetëm me fëmijë. Nuk dihet numri i rekrutëve. Para një viti zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maljar bëri fjalë për disa qindra mijëra ushtarë. Për shkak të humbjeve në front, duhet të mobilizohen gjithnjë rekrutë të rinj.

Kohë e shkurtër e trajnimit

Koha e përgatitjes së rekrutëve ukrainas konsiderohet shumë  e shkurtër. Shpesh ata kanë më pak se dy muaj në dispozicion që të absolvojnë trajnimin bazë, kohë kur ata duhet të mësojnë si të mësyjnë llogoret e armikut. Bilbili, një ushtar me pseudonim u shpreh për DW, se nuk jemi të tranuar mirë. “Ka një arsye pse ushtarët në ushtri nuk shërbejnë vetëm dy muaj, natyrisht që na nevojitet më shumë trajnim. Por ne jemi në një situatë, ku shumë gjëra u shkatërruan. Kemi nevojë të jemi të shpejtë për të zëvendësuar. Nuk ka kohë, vetëm go, go go-vazhdo.”

Ndërsa Faraoni, një pseudonim tjetër për një instruktor ukrainas thotë, se “sigurisht ka dallime mes rekrutëve të mobilizuar, dhe ushtarëve që shërbejnë në ushtri pesë, gjashtë ose edhe vetëm tre vjet. Për ta është më e lehtë, nuk na duhet të shpenzojmë më shumë kohë me gjërat bazike. Por nuk mendoj, se ka rënë niveli i përgatitjes. Kemi komandantë më me përvojë tani, të cilët mund të përgatisin rekrutët”, tha ai për DW.

Mësymja dhe marrja e llogoreve nuk është vetëm një nga operacionet më të rëndësishme të rekrutëve, po edhe një nga më të rrezikshmet. Mes ushtarëve thuhet, se sfida më e madhe ështe të mbijetosh herën e parë, dhe se zor se ndokush kalon tre herë nëpër këtë situatë pa u plagosur. Nuk ka të dhëna zyrtare, por është shumë i lartë numri i të plagosurve mes ushtarëve të rinj. Së fundmi Ukraina u trondit nga skandalet në ushtri. Mediat kishin raportuar, se një nëpunës i ushtrisë i korruptuar kishte blerë imoblije në Spanjë. Me gjasë me para të marrë ryshet, për të deklaruar të rinj ukrainas si të paaftë për luftë./DW

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!