Ukraina merr sistemet e para raketore M270, nuk dihet kush i dërgoi. Çfarë ndodhi në ditën e142-të të luftës

schedule19:15 - 15 Korrik, 2022

schedule 19:15 - 15 Korrik, 2022

Sot është shënuar dita e 142-të e luftës Rusi-Ukrainë. Në më shumë se 4 muaj luftë, pothuajse e gjithë Ukraina është shkatërruar duke lënë pas vetëm vdekje. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë.

-Të paktën 23 persona, duke përfshirë tre fëmijë, u vranë dhe rreth 66 të tjerë u plagosën pasi raketat ruse goditën ndërtesat civile dhe një qendër kulturore në qytetin Vinnytsia, në Ukrainën qendrore.

Sulmi në Vinnytsia, larg vijës së frontit të luftës, ndodhi mesditën e mëngjesit të së enjtes, kur rrugët ishin plot me civilë. Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës thotë se është ende në kërkim të 39 personave që konsiderohen të zhdukur, ndërsa 34 mbeten në gjendje të rëndë.

-Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e quajti sulmin rus në Vinnytsia “një akt të hapur terrorizmi”. Në një fjalim video në konferencën e Hagës, Zelenskiy u kërkoi zyrtarëve të gjykatës penale evropiane dhe ndërkombëtare të hapin një “gjykatë speciale” për të hetuar pushtimin rus të vendit të tij.

-Rusia ka larguar me forcë afro 2 milionë njerëz nga Ukraina, duke përfshirë më shumë se 200,000 fëmijë, që nga pushtimi i saj në shkurt, tha Zelenskiy.

-Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 40 vende të tjera kanë rënë dakord të koordinojnë hetimet për krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë. Të enjten, 45 vende, duke përfshirë shtetet e Bashkimit Europian, si dhe Britaninë, SHBA-në, Kanadanë, Meksikën dhe Australinë në një konferencë në Hagë nënshkruan një deklaratë politike për të punuar së bashku.

-Sekretarja amerikane e thesarit, Janet Yellen, ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë përbën kërcënimin më të madh për ekonominë globale. Përfaqësuesit e regjimit të Putinit “nuk kanë vend” në një takim të vendeve të G20 në Bali, tha ajo, duke shtuar se do të vazhdojë të bëjë presion ndaj aleatëve për një kufi të çmimit të naftës ruse, i cili sipas saj do t’i “mohojë të ardhurat Putinit për nevojën e makinës së tij të luftës. “.

-Vladimir Putin nënshkroi në ligj masat më të ashpra për individët ose subjektet që konsiderohen “agjentë të huaj” nga Rusia.

Por çfarë ka ndodhur deri më tani?

20:32- Rusia justifikon sulmin në Vinnytsia: Shënjestruam takimin e komandantëve ukrainas

Rusia është përpjekur të justifikojë një sulm që vrau 23 civilë, përfshirë tre fëmijë,  në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia, duke pretenduar se raketat e saj të lëshuara nga nëndetëse kishin shënjestruar një takim të komandantëve të forcave ajrore ukrainase dhe përfaqësuesve të furnizuesve perëndimorë të armëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti sulmin e mesditës të së enjtes në Vinnytsia, një qytet larg vijave të frontit të konfliktit, një akt të hapur terrorizmi që kishte vrarë civilë që bënin punët e tyre të përditshme.

Sulmi ishte i fundit në një seri sulmesh ruse në javët e fundit me raketa me rreze të gjatë veprimi në ndërtesa të mbushura me njerëz në qytete larg frontit, ku secili vrau dhjetëra njerëz.

Zelenskyy tha se numri i të vdekurve në Vinnytsia ka të ngjarë të rritet. Dhjetra janë ende të zhdukur dhe shumë viktima të raketave janë shtruar në spital në gjendje kritike.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se raketat e saj me bazë deti Kalibr, të lëshuara nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi, kishin në shënjestër ushtrinë ukrainase.

18:48- “Nuk ka mëshirë për armikun,” në Ukrainë mbërrin sistemi raketor M270

Në Ukrainë ka mbërritur sistemi lëshuesish multi-raketor M270. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes në vend Oleksii Reznikov. Ndërsa falënderoi partnerët për ndihmën, ministri u shpreh po ashtu se për armikun nuk do të tregohet mëshirë.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë ukrainas ka akuzuar Rusinë për përshkallëzim të sulmeve në drejtim të civilëve. Akuzat e tij vijnë pas një sërë sulmesh me raketa nga pushtuesi duke përfshirë këtu edhe sulmin mbi qendrën populluar të Vinnytsia-s. Nga ky sulm mbetën të vrarë 23 persona, duke përfshirë tre fëmijë.

Oleksiy Danilov, sekretari i këshillit të sigurisë kombëtare të Ukrainës, i tha Guardian se monitorimi i sulmeve ruse tregon rritje të numrit të sulmeve javët e fundit që po terrorizon popullsinë civile të Ukrainës.

19:15- Ukraina furnizohet me sistemet e para raketore M270, mister vendi që ia dërgoi

Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, ka njoftuar se në Kiev kanë mbërritur sistemet e para raketore M270.

Megjithatë autoritetet vendase mbajtën sekret vendin që i ka ofruara Ukrainës sistemet M270.

“Sistemet M270 do të shoqërojnë raketat HIMARS-in në fushën e betejës ,” shkruan  në Twitter ministri Oleksiy Reznikov, duke iu referuar sistemeve të dhuruara nga SHBA që Ukraina thotë se i ka përdorur për të goditur depot ruse të municionit.

Kievi ka thënë se ka bombarduar më shumë se 30 objektiva ruse në javët e fundit, duke minuar aftësinë sulmuese të forcave ruse.

Ndërkohë paktën 23 civilë u vranë dhe dhjetëra u plagosën në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia nga raketat ruse.

19:00- Sulmet me raketa kundër civilëve, Zelensky: Rusia të shpallet shtet terrorist

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të shpallë Rusinë një shtet terrorist, pasi në sulmet me raketa në qytetin qendror të Vinnytsia mbetën të vrarë të paktën 23 persona, përfshirë 3 fëmijë nën moshën 10-vjeçare.

Kjo, sipas Zelenskyt, ishte një tjetër aryse që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkonte Moskën me sanksione më të forta: “Kjo ditë tregoi edhe një herë se Rusia duhet të njihet zyrtarisht si shtet terrorist. Asnjë shtet tjetër në botë nuk përbën një kërcënim të tillë terrorist sa Rusia. Asnjë shtet tjetër në botë nuk i lejon vetes të shkatërrojë qytete paqësore dhe jetët e njerëzve të thjeshtë me raketa “cruise” dhe zjarr artilerie”.

Tre raketat “cruise” të lëshuara nga nëndetëset ruse në Detin e Zi goditën një qytet larg frontit të luftës në Donbasin lindor, duke shkaktuar përveç 23 viktimave, edhe 100 të plagosur. Në shënjestër u vu një parking, një pallat 9-katësh dhe godina të tjera banimi. Mes viktimave është edhe një vajzë 3-vjeçare, karroca e të cilës u fotografua e braktisur në zonën e sulmuar. Sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm në Kiev, 352 të mitur janë vrarë që prej fillimit të luftës.

Sakaq, mëngjesin e së premtes, forcat ruse goditën dy universitet kryesore të qytetit të Mikolaivit, në Ukrainën jugore. Në një postim në Tëitter, shefi i administratës ushtarake rajonale tha se terroristët kishin sulmuar me 10 raketa.

Mes intensifikimit të bombardimeve ruse, Ambasada Amerikane në Kiev i bën thirrje shtetasve amerikanë në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi, duke përdorur mjete të transportit tokësor.

18:39- Vetëm 30% e sulmeve ruse në Ukrainë kanë objektiva ushtarakë, pjesa tjetër godasin civilët

Rreth 70% e sulmeve me ruse në Ukrainë kanë pasur si objektiv civilët. Të dhënat i ka bërë të ditura zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Oleksandr Motuzianyk, raporton Ukrinform.

“Sulmi tinëzar i djeshëm me raketa në qendër të një qyteti paqësor në Ukrainë është një tjetër provë e gjenocidit të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo është shfarosja e ukrainasve si komb, kjo është një përpjekje për të thyer shpirtin e ukrainasve dhe për të ulur nivelin e rezistencës së tyre”, tha zëdhënësi.

Ai vuri në dukje se vetëm 30% e sulmeve totale nga pushtuesit rusë kishin objektiva ushtarakë, ndërsa 70% e mbetur u shkaktuan qëllimisht në qytete paqësore.

Në mbështetje të kësaj, Motuzianyk kujtoi sulmet me raketa ruse në Mariupol, Zaporizhia, Mykolaiv dhe qytete të tjera.

18:35- Humbi jetën në sulmin me raketa në Vinnytsia, publikohet foto e 4-vjeçares

BBC ka publikuar foton e 4-vjeçares ukrainase që humbi jetën nga sulmi me raketa ruse në Vinnytsia.

Katër vjeçarja me emrin Liza ishte mes tre fëmijëve që u vranë të enjten e kaluar nga raketat ruse që goditën qendrën e Vinnytsia.

Ndërkohë mësohet se bashkë me Lizën e vogël është vrarë edhe e ëma e a saj, Irina Dmitrieva.

Midis fotove të publikuara nga BBC është edhe fotoja e karocës e shkatërruar dhe e lyer me gjakun e 4-vjeçares.

Para sulmit tragjik e ëma e 4-vjeçares kishte postuar në rrjetet sociale një video me të bijën, të dyja duke buzëqeshur në një ditë të bukur plotë me diell.

Kur filloi lufta, ata ishin kthyer në Vinnytsia nga Kievi për siguri, sepse ishte larg vijës së frontit. Por me sa duket se asnjë vend nuk është më i sigurt në Ukrainë.

Ndërkohë familjarët e të zhdukur pas sulmeve me raketa në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia, kanë dorëzuar mostra të ADN-së për të ndihmuar zyrtarët të identifikojnë viktimat, sipas një shefi të policisë ukrainase.

Katërmbëdhjetë të afërm të personave të zhdukur kanë dorëzuar mostrat e tyre biologjike”, tha Ihor Klymenko, shefi i Policisë Kombëtare të Ukrainës, në një deklaratë.

“Specialistët tanë kanë kryer tashmë më shumë se 200 krahasime të profileve të përzgjedhura të ADN-së. Dymbëdhjetë nga 19 personat e identifikuar u njohën me ndihmën e kësaj teknologjie të shpejtë të identifikimit të ADN-së,” shtoi Klymenko.

Tetë persona janë ende të zhdukur, thuhet në deklaratën e Klymenko. Të paktën 23 persona u vranë në sulmin sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, duke përfshirë tre fëmijë.

15:50- Një rrugëdalje për grurin, marrëveshja Ukrainë-Rusi është shumë afër

Një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës për rifillimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase ishte shumë afër, pas bisedimeve në Stamboll në fillim të javës. Kjo sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, raporton The Guardian.

Ministria tha se propozimet e Moskës se si të arrihet një rifillim i eksporteve të grurit ukrainas u mbështetën në masë të madhe nga negociatorët dhe se puna për atë që ajo e quan “Iniciativa e Detit të Zi” do të finalizohet së shpejti.

Pas bisedimeve të së mërkurës, ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar tha se Rusia, Ukraina, Turqia dhe OKB-ja do të nënshkruajnë një marrëveshje javën e ardhshme.

Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, u tha gazetarëve të enjten se ishte e mundur të formuloheshin disa elementë të një marrëveshjeje të mundshme që Rusia, Ukraina dhe Turqia po diskutojnë tani në kryeqytetet e tyre përmes departamenteve të tyre ushtarake.

Një datë paraprake për takimin e ardhshëm katërpalësh është 20 ose 21 korrik, ka raportuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve Ria. Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se data e takimit të ardhshëm nuk është ende e qartë.

15:20- Sulmi me raketa në Vinnytsia, të afërmit e të zhdukurve dorëzojnë mostra të ADN-së

Familjarët e të zhdukur pas sulmeve me raketa në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia, kanë dorëzuar mostra të ADN-së për të ndihmuar zyrtarët të identifikojnë viktimat, sipas një shefi të policisë ukrainase.

“Katërmbëdhjetë të afërm të personave të zhdukur kanë dorëzuar mostrat e tyre biologjike”, tha Ihor Klymenko, shefi i Policisë Kombëtare të Ukrainës, në një deklaratë.

“Specialistët tanë kanë kryer tashmë më shumë se 200 krahasime të profileve të përzgjedhura të ADN-së. Dymbëdhjetë nga 19 personat e identifikuar u njohën me ndihmën e kësaj teknologjie të shpejtë të identifikimit të ADN-së,” shtoi Klymenko.

Tetë persona janë ende të zhdukur, thuhet në deklaratën e Klymenko. Të paktën 23 persona u vranë në sulmin sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, duke përfshirë tre fëmijë.

14:01- Rusia sulmon me raketa universitetet në Mykolaiv, të paktën 4 plagosur deri më tani

Numri i personave të lënduar si rezultat i një sulmi raketor rus në qytetin e Mykolaiv ka shkuar në 4, sipas kryetares së këshillit rajonal, Hanna Zamazeyeva, shkruan The Guardian.

Të paktën 10 raketa goditën dy universitete dhe objekte të infrastrukturës civile, duke dëmtuar ndërtesat e banimit. Mes të plagosurve nuk kishte fëmijë, shtoi ajo. Të gjithë viktimat janë dërguar në qendrat mjekësore dhe po marrin ndihmën e nevojshme.

“Sot terroristët rusë sulmuan dy universitetet më të mëdha në Mykolayiv, me të paktën dhjetë raketa. Ata po sulmojnë institucionet arsimore. Unë po u kërkoj universiteteve të të gjitha vendeve demokratike të shpallin Rusinë një shtet terrorist,” tha Vitaliy Kim, guvernatori i Mykolaiv.

12:50- U kap rob nga rusët, vdes në burg britaniku

Britaniku Paul Urey, i cili u kap rob nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë, ka vdekur në paraburgim, sipas raporteve, shkruan BBC.

Familja e 45-vjeçarit u kontaktua nga Ministria e Jashtme Britanike, sipas Presidium NetWwork, një grup humanitar që ka ndihmuar të afërmit e tij. Nëna e tij është ende në shok, tha grupi. Urey vuante nga një sërë sëmundjesh kronike.

“Nga ana jonë, pavarësisht nga ashpërsia e krimit të supozuar, Paul Urey-t iu ofrua ndihma e duhur mjekësore”, thuhet në deklaratë. “Megjithatë, duke pasur parasysh diagnozat dhe stresin, ai ndërroi jetë më 10 korrik”.

“Ne kërkojmë urgjentisht sqarime nga qeveria ruse mbi raportet e mediave se një punonjës britanik i ndihmave ka vdekur në Ukrainë”, tha një zëdhënës i Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.

Urey u arrestua në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetsk (DPR) në prill dhe u akuzua si mercenar.

11:06- Një re e zezë mbulon gjithçka, pamje të frikshme, momenti kur raketa ruse godet civilët në Ukrainë

Janë pamje të tmerrshme ajo që vijnë nga Vinnytsia, qendra e së cilit u sulmua dje me raketa “kalibr” të Rusisë duke shkaktuar 23 të vdekur, mes tyre 3 fëmijë. Siç duket nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë, këmbësorët e tmerruar u detyruan të vrapojnë për t’u mbrojtur kur ra raketa, ndërkohë që pak metra më tej vdisnin civilë.

për t’u mbrojtur kur ra raketa, ndërkohë që pak metra më tej vdisnin civilë.

Raketa e lëshuar nga një nëndetëse në Detin e Zi goditin qendrën e qytetit rreth orës 10:50 të mëngjesit me orën lokale duke plagosur të paktën 100 njerëz.

Pamjet tregojnë momentin e goditjes teksa çiklistët dhe këmbësorët po lëviznin kur papritmas fuqia shkatërruese e shpërthimit i rrëzon ata nga biçikletat e tyre, ndërsa të tjerët u përkulën dhe ranë në tokë.

Sekonda më vonë, një hije e zezë pushton sheshin dhe qentë duket të largohen të tmerruar.

Presidenti Volodymyr Zelensky e quajti Rusinë një shtet “terrorist” dhe kërkoi më shumë sanksione kundër Kremlinit duke theksuar se numri i të vdekurve në Vinnytsia mund të rritet.

“Për fat të keq, ky nuk është numri përfundimtar. Pastrimi i mbeturinave vazhdon. Dhjetëra persona raportohen të zhdukur. Në mesin e të shtruarve ka (njerëz) të lënduar rëndë”, tha ai.

10:37- Analizë e “Financial Times”: A ka ende shanse Rusia ta fitojë luftën në Ukrainë?

Rusia po zhvillon prej gati 5 muajsh një luftë në Ukrainë, por “asnjë nuk ka filluar ende seriozisht”, deklaroi presidenti Vladimir Putin javën e kaluar, vetëm disa ditë pasi trupat e tij pushtuan Lysychansk, qyteti i fundit në provincën lindore të Luhansk, që ishte ende nën kontrollin e Kievit.

Pushtimi i këtij qyteti, ishte një moment historik i rëndësishëm në fushatën e Putinit për të pushtuar të gjithë rajonin ukrainas të Donbasit. Po ashtu, ajo ishte një fitore shumë e nevojshme në aspektin e moralit të forcave ruse. Ndërsa disa nga këto të fundit u shpërblyen me pushim, të tjerat u urdhëruan të nisin ofensivën e radhës.

Një sulm me tre drejtime nga veriu, lindja dhe juglindja dhe drejt qyteteve të rëndësishme të Donbasit, Slovyansk, Kramatorsk dhe Bakhmut. Kremlinit iu deshën thuajse 2 muaj për të marrë të pjesën e fundit të territorit në provincën Luhansk, pasi e ri-fokusoi luftën e tij në lindje të vendit që në mesin e muajit prill.

Lexo KËTU të gjithë lajmin.

10:20- Sulmi në Vinnytsia, ambasada e SHBA-së thirrje amerikanëve: Largohuni menjëherë nga Ukraina

Ambasada e SHBA-së në Kiev i ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të mos udhëtojnë në Ukrainë dhe atyre që ndodhen në Ukrainë të largohen menjëherë, shkruan la repubblica.

“Situata e sigurisë në të gjithë Ukrainën vazhdon të jetë e dhunshme dhe e paparashikueshme për shkak të sulmeve të vazhdueshme ushtarake nga Rusia, me luftime aktive në vend dhe kushte të pasigurta sigurie”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ambasada gjithashtu ka bërë thirrje për shmangien e mitingjeve të mëdha dhe ngjarjeve të organizuara pasi ato mund të shërbejnë si objektiva ushtarake ruse.

10:14- Ukraina: Deri më tani janë kryer mbi 17 mijë sulme ndaj objektivave civile nga Rusia

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Rusia ka kryer mbi 17,300 sulme ndaj objektivave civile, ndërsa pak më shumë se 300 kanë goditur objektivat ushtarake, shkruan la repubblica.

Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministri ukrainas, Yevhen Yenin, sipas Ukrinform.

“Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të sulmeve ndaj objektivave civilë. Unë kërkova në mënyrë specifike një raport përmbledhës se sa raketa ruse kanë goditur objektiva ushtarakë dhe sa kanë goditur objektiva civile”, tha Yenin.

Për të bërë një krahasim: që nga agresioni, ka pasur 17.314 sulme në objektiva civile dhe pak më shumë se 300 në objektiva ushtarakë”, përfundoi ai.

10:00- VIDEO/ Rusët shënjestrojnë arsimin, sulmojnë me raketa universitet në Mykolaiv

Rusët nuk kanë kursyer me raketa edhe institucionet e arsimit në Ukrainë. Vitaliy Kim, guvernatori i Mykolaiv, ka thënë se universitetet e qytetit janë goditur nga Rusia mëngjesin e sotëm.

“Sot terroristët rusë sulmuan dy universitetet më të mëdha në Mykolayiv. Të paktën dhjetë raketa. Tani ata sulmojnë arsimin tonë. Unë po u kërkoj universiteteve të të gjitha vendeve demokratike të pretendojnë Rusinë se çfarë është në të vërtetë, shtet terrorist”, shkroi ai, ndërsa ka publikuar edhe një video që tregon sulmin.

09:09- Sulmi me 23 viktima në Vinnytsia, Zelensky: Shpallni Rusinë shtet terrorist

Zyrtarët perëndimorë akuzuan drejtpërdrejt homologët e tyre rusë për krime lufte të premten pasi raketat ruse goditën një qytet ukrainas, duke shkaktuar 23 viktima. Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti Rusinë një shtet “terrorist”.

Kievi tha se sulmi i së enjtes në Vinnytsia, një qytet me 370,000 banorë që ndodhet rreth 200 km në jugperëndim të kryeqytetit, u krye nga raketat Kalibr të lëshuara nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi.

Presidenti Zelensky bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Kremlinit dhe tha se numri i të vdekurve në Vinnytsia mund të rritet.

“Për fat të keq, këto nuk janë shifrat përfundimtare. Dhjetëra persona janë të zhdukur. Në mesin e atyre që trajtohen ka të lënduar rëndë”, tha ai.

Zelensky tha në një konferencë ndërkombëtare që synonte ndjekjen penale të krimeve të luftës në Ukrainë se sulmi kishte ndodhur në “një qytet të zakonshëm dhe paqësor”.

Asnjë shtet tjetër në botë nuk paraqet aq shumë kërcënim terrorist sa Rusia”, theksoi  Zelensky.

Rusia ka përsëritur se nuk po synon civilët në atë që e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë dhe pretendoi se sulmi i saj goditi një strukturë stërvitore ushtarake. Vinnytsia është shtëpia e selisë së komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës, sipas një uebsajti zyrtar ushtarak ukrainas.

Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës tha se tre fëmijë, përfshirë një vajzë 4-vjeçare të quajtur Lisa, u vranë në sulmin e së enjtes. 71 të tjerë janë të shtruar në  spital dhe 29 të tjerë janë të zhdukur.

09:-03- Inteligjenca britanike: Trupat ruse po avancojnë në Luhansk

Forcat separatiste ruse dhe pro-ruse të Republikës Popullore të Luhanskut pretendojnë se kanë hyrë në periferi të Siverskut në Donbas të Ukrainës, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Duke pranuar se raportet nuk janë vërtetuar, ministria tha se forcat ruse po avancojnë ngadalë drejt perëndimit dhe po hetojnë sulmet drejt Siverskut nga Lysychansk për të hapur një shteg për në Sloviansk dhe Kramatorsk.

Bakhmut ka të ngjarë të jetë objektivi tjetër, pasi Siversk të sigurohet, thuhet në raport. Instituti për Studimin e Luftës tha gjithashtu se Rusia ka të ngjarë të përgatisë një ofensivë më të madhe përgjatë linjës Sloviansk-Siversk-Bakhmut.

Studimi amerikan tha se Rusia kryesisht vazhdoi pauzën e saj operacionale me përgatitjet e mundshme në vazhdim për një ofensivë më të vendosur.

08:57- Kanadaja: Zyrtarët rusë janë përgjegjës për krimet e luftës

Ministrja e financave e Kanadasë, Chrystia Freeland, iu drejtua zyrtarëve rusë në një takim të liderëve të financave të G20 se duke i akuzuar ata si përgjegjës për “krimet e luftës”në Ukrainë, sipas një zyrtari perëndimor, shkruan The Guardian.

“Nuk janë vetëm gjeneralët që kryejnë krime lufte, janë teknokratët ekonomikë që lejojnë që lufta të ndodhë dhe të vazhdojë”, tha Freenland.

Freeland tha gjithashtu se lufta ishte “kërcënimi i vetëm më i madh për ekonominë globale.”

Takimi dyditor i ministrave të financave të G20 dhe shefave të bankave qendrore nga ekonomitë më të larta filloi në ishullin turistik të Bali nën hijen e një lufte që ka tronditur tregjet, ka rritur çmimet e ushqimeve dhe ka nxitur inflacionin e tmerrshëm.

Ministri indonezian i financave, Sri Mulyani Indrawati, paralajmëroi delegatët se dështimi për të trajtuar krizat e energjisë dhe ushqimit do të ishte katastrofik dhe u bëri thirrje ministrave të punojnë së bashku. Kostoja e dështimit tonë është më shumë se sa mund të përballojmë”, u tha ajo delegatëve.

“Pasojat humanitare për botën dhe për shumë vende me të ardhura të ulëta do të ishin katastrofike.”

08:46- Raporti: Rritet numri i varreve masive në zonat e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë

Pamjet e kapura nga satelitë dhe imazhet në terren zbulojnë një rritje të varrimeve në zonat e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia, sipas një raporti të publikuar të premten.

Qendra joqeveritare për qëndrueshmërinë e informacionit analizoi imazhet e varrimeve në gjashtë zona, dy prej tyre të kontrolluara më parë nga forcat ruse dhe pjesa tjetër ende nën kontrollin e Moskës në Ukrainën jugore, sipas AFP.

 

Në varrezat Starokrymske në Mariupol, autorët e raportit thanë se rreth 1000 varre të reja janë hapur gjatë një periudhe prej rreth pesë muajsh midis 21 tetorit dhe 28 marsit.Shkalla e varrimeve u rrit ndjeshëm pas marsit, kur forcat ruse kishin marrë pothuajse kontrollin e plotë të portit strategjik, pretendon raporti.

Autorët thanë se 1,141 varre të reja u panë në imazhet satelitore midis 28 marsit dhe 12 majit dhe mbi 1,700 të tjera midis 12 majit dhe 29 qershorit.

08:40- Lufta Rusi-Ukrainë, udhëheqësit e G20 takohen në Indonezi

Grupi i 20 ekonomive kryesore në botë do të  takohen në Bali, teksa Indonezia mikpritëse kërkoi konsensus mes pasojave të luftës dhe rritjes së presioneve ekonomike për shkak të rritjes së inflacionit, shkruan The Guardian.

Ministrja indoneziane e Financave Sri Mulyani Indrawati tha se mund të ishte “katastrofike” për vendet me të ardhura të ulëta rritja e çmimit të ushqimeve dhe energjisë nëse liderët nuk do të mblidheshin.

Sri Mulyani tha se bota kishte shpresa të mëdha se grupi do të ishte në gjendje të gjente një zgjidhje për kërcënimin e trefishtë të luftës, rritjen e çmimeve të mallrave dhe efektet e tyre në aftësinë e vendeve me të ardhura të ulëta për të shlyer borxhin.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se kostoja e dështimit tonë për të punuar së bashku është më shumë sesa mund të përballojmë. Pasojat humanitare për botën, dhe veçanërisht për shumë vende me të ardhura të ulëta do të ishin katastrofike,” tha ajo.

Anëtarët e G20 përfshijnë vendet perëndimore që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe e kanë akuzuar atë për krime lufte në Ukrainë, si dhe vende si Kina, India dhe Afrika e Jugut, të cilat kanë qenë më të stepura në përgjigjet e tyre.

Sri Mulyani u bëri thirrje anëtarëve të G20 që të flasin më pak për politikën dhe të “ndërtojnë ura midis njëri-tjetrit” për të dhënë më shumë vendime dhe për të ndërmarrë më shumë veprime.

“Ne duhet të forcojmë frymën e multilateralizmit, duhet të ndërtojmë gjithashtu një rrjet sigurie për bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, tha ajo.

08:25- 45 vende zotohen të ndëshkojnë krimet ruse të luftës

Të enjten, 45 vende, duke përfshirë shtetet e Bashkimit Europian, si dhe Britaninë, SHBA-në, Kanadanë, Meksikën dhe Australinë nënshkruan një deklaratë politike për të bashkëpunuar së bashku gjatë një konferencë në Hagë, shkruan The Guardian.

Deri më tani janë hapur rreth 23,000 hetime për krime lufte, ndërsa provat që duhe të paraqesin vendet duhet të jenë të besueshme.

“E vërteta e thjeshtë është se, ndërsa flasim, fëmijët, gratë dhe burrat, të rinjtë dhe të moshuarit, jetojnë në terror,” tha  Prokurori i ICC-së Karim Khan.

Khan tha se takimi i së enjtes trajtoi “një nevojë për koordinim, koherencë” dhe “nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse” ndërsa kombe dhe gjykata të ndryshme po punojnë për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet. Hapat që do të ndërmarrin përfshijnë krijimin e një grupi për të shmangur hetimet e dyfishta, trajnimin e prokurorëve ukrainas dhe zgjerimin e numrit të ekipeve mjeko-ligjore që veprojnë në Ukrainë.

Ata u zotuan gjithashtu se do të japin 20 milionë euro për të ndihmuar ICC-në, si dhe zyrën e prokurorit të përgjithshëm në Ukrainë dhe përpjekjet për Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

08:20- Gazetari i Moskës kërkon azil politik në SHBA

Gazetari rus Pyotr Koronayev, i cili dikur punonte për uebsajtin e lajmeve Baza me në Moskë dhe gruaja e tij, Tatyana Kulikova kanë kaluar kufirin Meksikë-SHBA. Gayetari kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Baza raportoi më 14 korrik se çifti fillimisht u vendos në një qendër paraburgimi imigracioni, por Koronayev më vonë u lirua, ndërsa gruaja e tij mbeti në paraburgim.

Nuk dihet se kur çifti kaloi kufirin. Sipas raportimeve, Koronayev dhe Kulikova kishin frikë për sigurinë e tyre në Rusi për shkak të deklaratave të tyre publike që kundërshtonin pushtimin e vazhdueshëm të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe mbështetjen e tyre ndaj politikanit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny.

Muajin e kaluar, gazetarja ruse Yelizaveta Kirpanova e cila punonte për gazetën, Novaya dhe bashkëshorti i saj, Grigory Manucharov kaluan gjithashtu kufirin Meksikë

Ata kërkuan azil politik në SHBA, duke përmendur arsye të ngjashme.

/abcnews.al