Ukraina ka nevojë për më shumë dhe jo më pak mbështetje nga Perëndimi

schedule14:30 - 21 Shtator, 2022

schedule 14:30 - 21 Shtator, 2022

Nga Melinda Haring “National Interest

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Të enjten e javës së kaluar, administrata e presidentit amerikan Joe Biden, njoftoi miratimin e një dërgesë të re armësh për Ukrainë me vlerë 600 milionë dollarë, përfshirë 1000 predha artilerie “të drejtuara me saktësi”. Fatkeqësisht, brenda Partisë Republikane po shtohen zërat kundër vazhdimit të ndihmës për Ukrainën.

Në çdo paketë të njëpasnjëshme të ndihmës që është miratuar që nga fillimi i luftës në muajin shkurt, numri i ligjvënësve republikanë që mbështesin ndihmën për Ukrainën ka rënë. Kongresmeni republikan Roger Williams deklaroi së fundmi për “DefenseNews”: “Ne nuk mund të vazhdojmë të dërgojmë të gjitha asetet tona në Ukrainë”.

Por kritika e tij është e gabuar. Problemi nuk është se SHBA-ja nuk po bën aq sa duhet për Ukrainën. Ne po bëjmë shumë pak. Uashingtoni po i siguron Kievit armë të mjaftueshme që të mbijetojë, por jo mjaftueshëm për një fitore të shpejtë ndaj Moskës, e cila do të krijonte kushtet për një paqe të qëndrueshme në rajon.

Kjo qasje tepër e kujdesshme, nënkupton se lufta mund të kalojë në një ngërç të zgjatur dhe të përgjakshëm, duke çuar përfundimisht në negociata që do të favorizojnë sërish Moskën, agresorin fillestar të kësaj lufte. Kievi ka kërkuar me ngul javët e fundit raketa, tanke dhe avionë me rreze të mesme dhe të gjatë.

Por Shtëpia e Bardhë mbetet e frikësuar nga shkelja e një “vije të kuqe”, e cila thjesht nuk ekziston. Për shembull, gjatë fjalës së tij në Forumin e Sigurisë në Aspen muajin e kaluar, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, e pranoi se Uashingtoni nuk do të dërgojë sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi, sepse i frikësohet kundërpërgjigjes së Kremlinit.

“Ata nuk na kanë dërguar mjaftueshëm armë, pasi menduan se ne do të dorëzoheshim brenda 3 ditësh”- tha Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, më 10 shtator në Samitin e Strategjisë Evropiane të Jaltës të mbajtur në Kiev.

Sa gabim e ka pasur Perëndimi! Furnizimi i Ukrainës me armët që i nevojiten, dhe ndihma për të përballuar shpenzimet mujore prej 5 miliardë dollarësh, për të përballuar nevojat funksionale si shtet, janë një prioritet kryesor i SHBA-së.

Ukraina nuk është Afganistani, dhe sistemet e saj bankare, hekurudhore dhe energjetike mbeten të paprekura. Gjatë 6 muajve të fundit, hekurudhat ukrainase kanë evakuuar miliona ukrainas dhe shumë nga udhëtimet e tyre arrijnë ende në kohë, pavarësisht sulmeve me raketa.

Autoritetet arrijnë të riparojnë me shpejtësi çdo binar të dëmtuar. Po ashtu, Kievi arrin ende të paguajë në kohë mësuesit, mjekët dhe punonjësit e administratës. Vetë kryeqyteti është rikthyer në normalitet. Restorantet janë rihapur, shkollat ​​e pajisura me bodrume strehimore funksionojnë normalisht dhe janë rikthyer afro 80 për qind e banorëve të tij.

Gjendja e shtetrrethimit mbetet në fuqi, por trafiku i ngarkuar i Kievit është një tjetër shenjë e normalitetit të jetës. Ukraina mund të jetë 8000 km larg SHBA-së, por amerikanët e kuptojnë instinktivisht pse ka rëndësi kjo luftë, dhe pse ata duhet të ndihmojnë për të paguar për të.

Sipas një sondazhi nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, shumica e amerikanëve duan të mbështesin Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Mbështetja e Ukrainës është gjëja e duhur që duhet bërë në aspektin moral. Rusia po zhvillon një luftë brutale për ta shkatërruar kombin ukrainas. Forcat e ushtrisë ruse po shkatërrojnë qëllimisht objektiva jo-ushtarake, përfshirë shtëpitë, shkollat ​​dhe infrastrukturën më kritike.

Duk mos pasur asnjë sukses domethënës në fushën e betejës, ajo i është drejtuar gjithnjë e më shumë sulmeve ndëshkuese me raketa. Prandaj është koha ta shtojmë mbështetjen tonë. Ukraina ka nisur ditët e fundit një sërë kundërsulmesh, duke e çoroditur ushtrinë ruse e cila është tërhequr nga shumë zona.

Në më pak se një javë, Kievi rimori nën kontroll një territor që është dyfishi i madhësisë së zonës më të madhe të Londrës. Forcat e armatosura ukrainase, i sprapsën forcat ruse nga rajoni i Kharkiv në veri, dhe rimorën një qendër kryesore logjistike, të cilën Moska kishte përdorur për të goditur lindjen e Ukrainës, si dhe një qendër të rëndësishme hekurudhore që kishte furnizuar forcat ruse në lindje.

Së fundmi, trupat e Ukrainës kanë kaluar lumin Oksil në rajonin Kharkiv, në përgatitje për të sulmuar forcat ruse në rajonin e Donbasit. Ndërsa ligjvënës amerikanë si senatori Josh Hawley po e kritikojnë ndihmën për Ukrainën, udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch Mcconnell ka deklaruar me të drejtë: “Ukrainasit kanë nevojë për akoma më shumë armë nga sa ne i kemi dërguar deri tani. Ata duhet t’i marrin ato sa më shpejt, dhe kanë gjithashtu nevojë për aftësi të reja. Si për shembull sistemet raketore ATACMS me rreze

të gjatë, drone më të mëdhenj dhe tanke. Jo të gjitha këto armë duhet të jepen nga Amerika. Aleatët tanë po presin nga ne sinjale”.

Fitoret e fundit të Ukrainës në fushën e betejës, sinjalizojnë një pikë kthese në këtë luftë, mbi atë nëse Kievi do të mund ta mbajë territorin që ka aktualisht nën kontroll, dhe të vazhdojë të çlirojë akoma më shumë territore të pushtuara nga rusët në lindje dhe jug. Mos kini ndonjë iluzion për këtë të fundit: rimarrja e zonave të mëdha që Rusia i mban ende të pushtuara nuk do të jetë një mision i lehtë. Por e vetmja mënyrë për të siguruar një fitore të Ukrainës në këtë luftë, është duke dërguar më shumë dhe jo më pak armë dhe mbështetje ekonomike.

Shënim:Melinda Haring, zëvendësdrejtoreshë e Qendrës Eurazia në “Atlantic Council”.