Dy magazina të kompanisë Wildberries u goditën nga sulmet ukrainase gjatë natës së të hënës, ndërsa një tjetër objekt që duket se është i lidhur me shitësin më të madh online në Rusi u dëmtua pranë Moskës.
Ukraina ka intensifikuar javët e fundit sulmet ndaj objekteve të operuara nga Wildberries, kompani që shpesh përshkruhet si “Amazon-i rus”.
Të paktën pesë persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën në një zonë industriale rreth 69 kilometra në jug të Kremlinit, njoftuan autoritetet lokale, pa konfirmuar nëse objekti i përkiste Wildberries.
Ndërkohë, autoritetet konfirmuan se dy objekte të tjera të Wildberries u goditën në rajonet e Shën Petersburgut dhe Tverit.
Kievi pretendon se këto depo përdoren për furnizimin e ushtrisë ruse, një akuzë që Moska e mohon.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës kishte kapur dhe shkatërruar 320 dronë ukrainas.
Në të njëjtën kohë, sulmet ruse në Ukrainë shkaktuan të paktën katër viktima.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, bëri të ditur se një magazinë në një zonë industriale në Çehov, në periferi të Moskës, u godit dhe mori flakë. Sipas tij, u dëmtuan gjithashtu një nënstacion elektrik dhe një ndërtesë administrative.
Në një postim në Telegram, Vorobyov tha se shtatë nga dhjetë të plagosurit ndodheshin në gjendje të mesme, ndërsa një person ishte në gjendje të rëndë.
Mediat ukrainase raportuan se magazina në Çehov ishte e lidhur me Wildberries. Objekti figuron edhe në motorin rus të kërkimit Yandex si një qendër e kompanisë.
Wildberries nuk ka bërë koment publik për ngjarjen, por konfirmoi se objekti i saj në rajonin e Shën Petersburgut ishte goditur.
Një video e publikuar në rrjetet sociale dhe e verifikuar nga agjencia Reuters tregon një magazinë të Wildberries të përfshirë nga flakët, ndërsa një re e madhe tymi të zi ngrihet mbi ndërtesë.
Guvernatori i rajonit të Tverit deklaroi se edhe një tjetër objekt i Wildberries u dëmtua gjatë natës.
Ndërkohë, autoritetet lokale në rajonin e Samarës konfirmuan të martën se një magazinë e Wildberries, e goditur nga dronët ukrainas të dielën, ishte shkatërruar plotësisht, bashkë me të gjitha mallrat që ndodheshin brenda saj. Lajmi u raportua nga agjencia shtetërore ruse TASS.
Nga ana tjetër, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës njoftoi se një grua 89-vjeçare humbi jetën, ndërsa dy vajza, të moshës dy dhe 12 vjeç, ishin mes shtatë të plagosurve pas një sulmi rus gjatë natës në qytetin port të Mykolaivit, në jug të vendit.
Në rajonin e Sumyt, një grua dhe dy vajza, pesë dhe dhjetë vjeç, u vranë pas një sulmi mbi një zonë banimi, ndërsa katër persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmet ruse plagosën gjithashtu dy persona në qytetin Bilhorod-Dnistrovskyi, ndërsa një depo ushqimore u përfshi nga flakët në Dnipro, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.
Zhvillimet vijnë një ditë pasi një plazh i frekuentuar në jug të Rusisë u godit nga një dron, duke shkaktuar shtatë viktima dhe 58 të plagosur, sipas autoriteteve ruse.
Pamje të verifikuara nga BBC tregojnë një dron që rrëzohet dhe shpërthen në një plazh në rajonin e Krasnodarit, ndërsa turistët ndodheshin në breg dhe në ujë.
Disa kanale ukrainase në Telegram kanë pretenduar se droni u rrëzua në plazh pasi sistemi rus i luftës elektronike bllokoi sinjalin e tij. Ndërkohë, dëshmitarë okularë, të cituar nga mediat ruse, thanë se para shpërthimit u dëgjuan të shtëna, çka mund të tregojë se mbrojtja ajrore ruse kishte tentuar ta rrëzonte dronin.
Guvernatori i rajonit e akuzoi Ukrainën për “një sulm të qëllimshëm ndaj civilëve”. Ukraina nuk ka komentuar mbi këto pretendime. Si Rusia ashtu edhe Ukraina mohojnë se synojnë qëllimisht objektiva civile.


