Qeveria ukrainase ka akuzuar Rusinë se qëndron pas sulmit kibernetik të ditës së premte ndaj dhjetëra faqeve zyrtare të internetit. Rreth 70 faqe të internetit qeveritare u mbyllën përkohësisht, në sulmin më të madh të tillë që ka ndodhur në Ukrainë në katër vitet e fundit. Përpara se faqet të dilnin jashtë linje, u shfaq një mesazh që paralajmëronte ukrainasit të “përgatiteshin për më të keqen”. Qytetarët arritën të hynin në faqet zyrtare pas disa orësh.
SHBA dhe NATO e dënuan sulmin dhe i kanë ofruar mbështetje Ukrainës. Rusia nuk ka komentuar për hakimin. Ekspertët në Ministrinë e Informacionit të Ukrainës publikuan një plan kohor se si u përhap lajmi për sulmin, duke theksuar se mediat ruse e raportuan atë përpara mediave ukrainase. Ata pretenduan se sulmet ishin në përgjigje të asaj që ata e quajtën dështimin e Rusisë në bisedimet e saj të fundit me NATO-n mbi Ukrainën raporton “BBC”.
Ukraina është vënë nën presion të madh nga fqinji i saj, me një grumbullim prej rreth 100,000 trupash ruse pranë kufijve të saj. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës thanë se në nëntë muajt e vitit të kaluar “neutralizoi” 1200 sulme kibernetike. NATO tha se së shpejti do të nënshkruajë një marrëveshje me Ukrainën për bashkëpunimin e zgjeruar kibernetik, i cili do t’i japë asaj akses në platformën e shkëmbimit të informacionit të sulmeve kibernetike të aleancës.
Shtëpia e Bardhë thotë se do t’i ofrojë Ukrainës çdo mbështetje që i nevojitet për t’u rikuperuar nga sulmi. Mesazhi që u publikua ditën e premte në faqet e internetit e hakuara u postua në tre gjuhë, ukrainisht, rusisht dhe polonisht. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës tha se asnjë e dhënë personale nuk ishte vjedhur sipas vlerësimeve fillestare dhe asnjë përmbajtje nuk ishte ndryshuar. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se të gjitha burimet e tij po mobilizoheshin për të ndihmuar Ukrainën të përballet me “këtë lloj sulmi kibernetik”.
/ abcnews.al