Ukraina dhe Rusia realizuan këtë të premte një tjetër shkëmbim të të burgosurve të luftës, ku secila palë liroi nga 160 ushtarakë, sipas njoftimit të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes.
Në një deklaratë, ministria ruse bëri të ditur se 160 ushtarakë rusë u riatdhesuan nga territori i kontrolluar nga Ukraina, ndërsa në këmbim u liruan 160 të burgosur lufte ukrainas.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi shkëmbimin përmes një postimi në platformën X, duke theksuar se të gjithë ushtarakët e liruar ishin mbajtur robër nga Rusia që prej vitit 2022.
“Ne vazhdojmë të kthejmë ukrainasit nga robëria ruse. Sot u liruan 160 ushtarakë. Mes tyre ka pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Shërbimit Special Shtetëror të Transportit, Gardës Kombëtare dhe Gardës Kufitare,” shkroi Zelensky.
Sipas presidentit ukrainas, ushtarakët e liruar kishin marrë pjesë në mbrojtjen e Mariupolit dhe kompleksit industrial Azovstal, si edhe në beteja në rajonet e Donetskut, Luhanskut, Kharkivit, Zaporizhias, Kievit, Çernihivit dhe Sumit.
Zelensky falënderoi ekipin që merret me negociatat për shkëmbimin e të burgosurve, duke theksuar se puna për kthimin e të gjithë ukrainasve të mbajtur në robëri do të vazhdojë.



