Ukraina dhe Rusia kryejnë këmbimin e parë të të burgosurve që nga sulmi ndaj Kurskut

schedule17:05 - 26 Gusht, 2024

schedule 17:05 - 26 Gusht, 2024

Ukraina dhe Rusia kryen gjatë fundjavës këmbimin e parë të të burgosurve të luftës që kur filloi operacioni ukrainas në rajonin rus të Kurskut.

Zëri i Amerikës ishte i pranishëm në këmbimin e 55-të të robërve të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë që u bë në mënyrë simbolike në ditën e 33 vjetorit të pavarësisë së Ukrainës.

Ky është shkëmbimi i parë i të burgosurve mes dy vendeve që kur Ukraina filloi operacionin në rajonin e Kurskut.

115 robër ukrainas u kthyen në shtëpi. Sipas Shtabit Koordinues të Ukrainës për të Burgosurit e Luftës, të gjithë ata ishin rekrutë, përfshirë disa ushtarë që u kapën në muajt e parë të agresionit të Rusisë që filloi në shkurt të vitit 2022.

“Sot arritëm të kthejmë në vend 115 nga heronjtë tanë. Dhe numri i përgjithshëm i qytetarëve tanë të liruar deri sot ka arritur 3,520 heronj dhe heroina”, tha Bohdan Okhrimenko, një zyrtar i Shtabit Koordinues për të Burgosurit e Luftës.

Ushtarët ukrainas dukeshin të rraskapitur, por të lumtur që u kthyen. Shumë prej tyre, si Yevheni, i cili për arsye sigurie pranoi të identifikohej vetëm me emër, kishin qenë për dy vjet e gjysmë të burgosur në Rusi.

“Dy vjet e gjysmë. Sigurisht, është shumë e vështirë. Por ne rezistuam. Djemtë tanë janë ende atje, në pritje për t’u kthyer në shtëpi”, thotë ai.

“Kaluam shumë kohë në robëri, por sakrifica ia vlejti. Shumica e atyre që po kthehen do të vazhdojnë të shërbejnë në ushtri. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë Atdheun tonë. Kryesorja është të mos dorëzohemi”, shton Yevheni.

“Është shumë e vështirë të jesh në robëri, atje, mijëra kilometra larg shtëpisë. Shumë e vështirë”, thotë Artemi, një tjetër ushtar i liruar.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë se një nga qëllimet kryesore të operacionit ukrainas në rajonin e Kurskut është që të kenë mundësi të këmbejnë të burgosur ukrainas me ata rusë.

“Ky operacion u bë investimi ynë më i madh në procesin e çlirimit të burrave dhe grave ukrainase nga robëria ruse. Ne kemi kapur numrin më të madh të të burgosurve rusë në një operacion. Dhe ky është një rezultat domethënës, është një nga synimet tona”, thotë Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Këmbimi i fundit u bë tre javë pas inkursionit të papritur të Ukrainës në Rusi. Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ukrainase kanë kapur mijëra ushtarë rusë. Shumë prej tyre janë rekrutë.

Rusia njoftoi se 115 rekrutët rusë u kthyen në Moskë si pjesë e shkëmbimit.

Megjithëse nuk ka konfirmim zyrtar se ushtarët rusë ishin kapur në rajonin e Kurskut – shumë në Ukrainë besojnë se operacioni në Kursk do të përmirësojë shanset për lirimin dhe kthimin e të burgosurve ukrainas. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!