Nga Gideon Rachman “Financial Times”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, është folur shumë për jehonën e Luftës së Dytë Botërore, dhe për rreziqet e një lufte të tretë. Por momenti aktual global, përfaqëson më shumë një rikthim të Luftës së Ftohtë. SHBA po ndërton sërish një koalicion të demokracive, për t’u përballur me aksin Rusi-Kinë.
Sërish, rreziqet e një lufte bërthamore janë një element qendror në politikën ndërkombëtare. Dhe ekziston prapë një bllok i madh vendesh të paangazhuara – që tani përgjithësisht etiketohen si “jugu global” – që po joshen intensivisht nga të dyja palët.
Shumë njerëz në “jugun global”, këmbëngulin se Ukraina është një konflikt rajonal, që nuk duhet lejuar të shkatërrojë apo ndryshojë të gjithë botën. Por politikë-bërësit në administratën e Joe Biden e trajtojnë tashmë luftën në terma globalë.
Ata e shohin Rusinë dhe Kinën si partnere në një sfidë kundër “rendit të bazuar në rregulla”, të mbështetur nga SHBA dhe aleatët e saj. Betejat që po zhvillohen në Ukrainë, janë aktualisht teatri qendror i asaj beteje më të gjerë. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, kërcënimet e sigurisë në Evropë dhe Azi, tani janë aq shumë të lidhura sa që të dy kontinentet shihen nga zyrtarët si një “sistem i vetëm operativ”.
Ky është një model i të menduari që të kujton shumë Luftën e Ftohtë, një epokë kur Amerika ishte gjithmonë e vetëdijshme se ajo që ndodhi në Vietnam apo Kore, mund të kishte efekte në qytetin e ndarë të Berlinit apo në Atlantikun e Veriut. Një ndryshim i madh nga Lufta e Ftohtë, është se këtë herë amerikanët shohin Kinën, dhe jo Rusinë, si rivalen e tyre më serioze.
Kjo bindje nuk ka ndryshuar nga fakti se është presidenti rus Vladimir Putin, ai që ka nisur një luftë. Në fakt, fokusi i administratës Biden mbi Kinën, e intensifikon tendencën për ta parë luftën në Ukrainë jo vetëm si të rëndësishme për sigurinë e Evropës, por për të gjithë rendin global.
Ndërsa në Perëndim flitet pak për përpjekjen për të “luajtur si Kissinger” – pra për të krijuar edhe një herë një përçarje midis Rusisë dhe Kinës, siç ndodhi në vitet 1970 – pak zyrtarë dhe ekspertë në Uashington besojnë se kjo është një perspektivë e besueshme afatshkurtër. Përkundrazi, zyrtarët amerikanë e shohin Kinën si shumë të vendosur në krah të Rusisë. Shmangia e përkthimit të ndjenjave të Pekinit si pro-ruse, dhe në mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake apo ekonomike për Moskën, mbetet një prioritet kryesor për SHBA-në.
Aleatët e SHBA-së në Azi – sidomos Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia – janë gjithashtu shumë të shqetësuara ndaj pasojave që mund të sjellë për sigurinë e tyre lufta në Ukrainë. Skenari më i keq për ta, do të ishte që agresioni rus të trimërojë Kinën dhe shpërqendrojë Amerikën, duke çuar në një pushtim kinez të Tajvanit, që do ta transformonte rajonin. Skenari më i mirë është që lufta në Ukrainë ta rigjallërojë aleancën perëndimore dhe udhëheqjen globale të SHBA-së, dhe të imponojë tërheqjen e Kinës në Azi. Por në realitet, njerëzit e Biden nuk mendojnë se problemet e Rusisë në Ukrainë, u kanë ndryshuar mendjen kinezëve mbi skenarin e një pushtimi të mundshëm të Tajvanit.
Kinezët, besojnë ata, janë më të interesuar të kuptojnë se ku ka gabuar Rusia, dhe të modifikojnë planet e tyre në përputhje me rrethanat. Nevoja për përdorimin e një force dërrmuese në çdo aksion ushtarak, është një nga leksionet e luftës aktuale. Një tjetër është nevoja për të mbrojtur ekonominë e Kinës nga sanksionet e mundshme perëndimore.
Në fund të muajit maj, Biden vizitoi Japoninë dhe Korenë e Jugut, ku deklaroi jo për herë të parë se SHBA-ja do të luftonte për të mbrojtur Tajvanin. (Administrata e tij u detyrua sërish të modifikonte komentet e presidentit). Ndërkohë në fund të qershorit, NATO do të mbajë një samit në Madrid.
Në një akt shumë domethënës, në të janë ftuar të marrin pjesë Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Krijimi i një koalicioni të demokracive, synon të përmirësojë pozicionin e sigurisë së Perëndimit, si në Evropë ashtu edhe në Azi. Vende si Japonia luajnë një rol të rëndësishëm, simbolik dhe praktik, në luftën përballë Rusisë. Ato janë shumë të rëndësishme në fushatën ndëshkimore përmes sanksioneve, duke e bërë shumë më të vështirë që Moska të gjejë mënyra të lehta për t’iu shmangur atyre.
Në këmbim, aziatikët janë të prirur që t’i shohin vendet evropiane me një rol më të madh të sigurisë në Azi. Misionet e tyre detare në rajon nga britanikët, francezët, gjermanët dhe holandezët, janë mirëpritur nga këto vende.
Por ndërsa amerikanët janë të kënaqur me reagimin e aleatëve të tyre më të rëndësishëm aziatikë ndaj luftës në Ukrainë, ata janë të shqetësuar nga dështimi i tyre për të fituar betejën për mbështetjen e opinionit publik në Azinë juglindore.
Në një takim të fundit të samitit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në Uashington, disa liderë të ASEAN-it u bënë jehonë argumenteve ruse mbi përgjegjësinë e NATO-s për shpërthimin e luftës në Ukrainë, por edhe për operacionet e supozuara të “flamurit të rremë”.
India shihet si një sfidë edhe më e rëndësishme. Qeveria e kryeministrit Narendra Modi, ka qenë e kujdesshme duke shmangur marrjen e anëve në konfliktin në Ukrainë, duke abstenuar në votimet kryesore në OKB, dhe duke shtuar importet e naftës nga Rusia.
Amerikanët mendojnë se përzierja e Nju Delhit në këtë çështje ka të ngjarë të jetë kundër-produktive. Prandaj, ata synojnë ta afrojnë gradualisht më afër tyre Indinë, duke e vënë theksin tek interesat e përbashkëta të sigurisë së dy vendeve në frenimin e fuqisë së Kinës.
Disa historianë i shohin tani Luftën e Parë dhe luftën e Dytë Botërore si dy faza të të njëjtit konflikt, të ndara nga një periudhë paqeje gjithnjë e më e brishtë. Ndoshta historianët e ardhshëm do të flasin për Luftën e Parë dhe të Dytë të Ftohtë, të ndarë nga një epokë 30-vjeçare e globalizimit. Lufta e Parë e Ftohtë përfundoi me rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989. E dyta, duket se filloi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurtin vitit 2022. /abcnews.al