Grupi besnik i motoçiklistëve rusë “Ujqërit e natës” planifikojnë të mbërrijnë në Berlin më 9 maj, në përvjetorin e fitores së Ushtrisë së Kuqe ndaj ushtrisë gjermane të Hitlerit.
Tashmë kolona është nisur nga juglindja e Moskës, me qindra motoçiklistë, të cilët përveç flamujve rus dhe sovjetikë, kanë shtuar tashmë edhe shkronjën “Z”, symbol i pushtimit rus të Ukrainës.
Përdorimi i simbolit është i ndaluar në Gjermani dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. Udhëheqësi i grupit, Alexander Zaldostanov, është një mik i Putinit dhe ka qënë pjesë e sanksioneve perëndimore për mbështetjen e hapur të aneksimit të Krimesë në 2014.
Ata do të kalojnë përmes Volgogradit (ish Stalingrad) , ku u zhvillua beteja vendimtare në 1942-3 dhe do të shkojnë në Donetsk, në Ukrainën lindore, për të shpërndarë ndihma humanitare për civilët dhe ushtarët rusë.
Qëllimi i “Ujqërve të natës”, të cilët këtë vit e kanë quajtur rrugën e tyre “Rrugët e Fitores”, është të mbërrijnë në Berlin më 9 maj, ditën kur Rusia përkujton fundin e Luftës së Dytë Botërore.
Në Gjermani përvjetori festohet më 8 maj.
“Ujqërit e natës” u themeluan në vitin 1989 , pak para rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe në të kaluarën kanë udhëtuar vazhdimisht nga Moska në Berlin për përvjetorin, gjithmonë nën vëzhgimin e Zyrës Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Megjithatë vitin e kaluar në kryeqytetin gjerman ishin vetëm 15 motoçiklistë, të cilët gjithsesi erdhën nga Frankfurti dhe jo nga Rusia.
/abcnews.al