Uji që “buron” nga trungu i një mani 100 vjeçar në fshatin Dinosh të Tuzit në Malin e Zi, tërhoqi vëmendjen e mediave botërore. Banorët thonë se pasi të përfundojë dimri, mani kthehet në burim që rrjedh. Anton Pllumaj, në një intervistë me Skype për Abc e mëngjesit”, foli për këtë fenomen të çuditshëm.
Ai tregoi se kjo ndodh për shkak të përrenjve nëntokësore që ndodhen në këtë zonë, të cilët kohës që ka reshje të dendura shiu, “fryhen” dhe dalin në sipërfaqe. Në rastin konkret, uji ka gjetur një dalje në zgavrën e manit shumë vjeçar duke e bërë që të duket si një “burim” uji.
“Ndodhet në fshatin Dinosh, vendi përballë luginës së Cemit. Fshati ka popullatë shqiptare. Karakteristikë është se krejt zona është e njohur për kanalet nëntokësore që kanë krijuar përrenjtë ndër shekuj. Këto përrenj nëntokësor kanë gjetur daljen nëpërmjet zgavrës së manit.”, tha Antoni.
Edhe pse shumë e quajnë si një mrekulli nga Zoti, Antoni tha se kjo ka të bëjë me hidrologjinë e vendit. Në këtë zonë ka rreth 130 shpella që janë kthyer në një atraksion turistik. Ai gjithashtu tregoi se çfarë fshihet pas “zhdukjes” së Liqenit të Krevenicës dhe daljes së tij në një shpellë.
“Kjo është dukuri e lidhur me kanalet nëntokësore. Krevenica ka burimin përmes lumit Cem. Kalon nëpër kanale nëntokësore dhe shpërthen në Liqenin e Shkodrës. Afër Tuzit ka gjetur një dalje dhe shpërthen gjatë reshjeve të dendura. Del dhe bëhet një liqen i vogël.
Pasi thahet kjo pjesë është e mundur që të vizitohet përbrenda sepse ka shpellën dhe liqenin brenda.”, tregoi ai. Mes të tjerash ai u ndal dhe te legjenda e shpellës së maces. “Është shpella më e madhe dhe e gjatë që kemi zbuluar deri më sot në Malësi. Është 250 metra.
Gojëdhëna thotë se vazhdon dhe del në anën tjetër të malit sepse në pjesën e fundit bien gurë ndër vite dhe është shumë e rrezikshme. Lidhet me një legjendë në Malin e Grudës. Ata festojnë me 15 Gusht festën e Zojës së Grudës.
Thuhet se kur kanë qenë rrëzë shpellës stanet e banorëve dhe kanë pjekur qengjin. Dikush nga larg ka ardhur, kanë marrë qengjin dhe janë futur në shpellë. Thuhet se me ta është futur një mace por pas një kohe i kanë gjetur të ngrirë. Thuhet se e vetmja që ka dalë nga shpella është macja.“, tha ai. /abcnews.al