Ujësjellës i Gramshit 14 vite pa u vënë në punë, u hodhën miliona lekë investime

schedule15:04 - 4 Korrik, 2019

schedule 15:04 - 4 Korrik, 2019

 

Në Gramsh prej 14 vjetësh është investuar për ndërtimin e ujësjellësit të ri. Por ai nuk vu asnjëherë në funksion. Aktualisht vendorët thonë se duhet bërë rrjeti i shpërndarjes që ky Ujësjellës të nis shpërndarjen e ujit.

Miliona lekë u hodhën. Por edhe pas 14 vitesh, depo e ujit të pijshëm në Gramsh nuk u vendos në funksion.

Qyteti nuk ka mungesë të theksuar të ujit të pijshëm pasi furnizohet nga ujësjellësi i Kërpicës kurse investimi u la në harresë.  Por nuk është cilësuar dhe jo në parametrat e duhura higjienike.

“Në vitet 2003,2004,2005 u ndërtua depoja 2000 m3, me idenë që do të vazhdojë investimi edhe për ndërtimin e rrjetit të brendshëm në qytet i cili realisht është tejet e amortizuar. depoja u ndërtua konform të gjithë kushteve e parametrave, u koalidua, u bënë prova, u mbajt rreth 2 javë e mbushur me ujë dhe me vendim të këshillit të bashkisë u kërkua që ujsjellësi ta merrte në përdorim”, tha Tajar Bici, Drejtor i Ujesjelles-Kanalizimeve në Gramsh.

Kur depo ishte ngritur, dhe paratë ishin shpenzuar, doli problemi që qyteti ka rrjet të amortizuar.

Dhe sot që furnizimi bëhet nga lartësia e zonës, për shkak të tubacioneve të shkatërruara 60 %  e ujit derdhet në lumin Devoll.

“Për ta vënë në punë, në eficencë këtë depo, padyshim që duhej ndërtuar rrjeti i brendshëm në qytet por duke mos patur emergjencë me depot ekzistuese, qyteti furnizohej me ujë dhe kështuqë mbase drejtuesit e ndërmarrjes në atë kohë nuk e ndjenin të domosdoshme një gjë të tillë”, tha ai.

Do duhen vite dhe do bëhen të tjera premtime që Ujësjellësi i Gramshit t’u jap ujë banorëve. Kësaj here sipas vendorëve jo vetëm që do hidhen paratë për rrjetin e brendshëm por do të ketë edhe rikonstruksion të depos së ujit e cila u harruar për shumë vite.

“Ky investim për rikonstruksionin e brendshëm të qytetit do të fillojë brenda këtij viti por është parashikuar që këto investime vazhdojnë 3 vjet dhe brenda këtij harku kohor, prioritet do të jetë vendosja në punë e depos 2000 m3”, deklaroi Bici.  

Aktualisht analizat e kryera në vendburim tregojnë se uji nuk është i ndotur nga ana bakteriologjike. Por tubacionet e vjetra e ndotin nga momenti që nis shpërndarja. Rasti i depos së ujit të qytetit Gramsh dëshmon për investime pa plan ndër vite dhe pse shpenzohen qindra milionë lekë, nuk janë në dobi të komunitetit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!