Kryeministri Edi Rama ka zbuluar sot projektin e ri se përse do të dërgohen satelitët në orbitë. Ai tha se Shqipëria nuk do të dërgojë satelitë për të bërë kërkime në Mars, por nisma, sipas tij lidhet me kontrollin e territorit për të identifikuar në kohë reale shkeljet dhe cenimin e mjedisit.
“Ujë 24 orë apo satelitët? Psh po t’u them unë që satelitët lidhen edhe me ujin 24 orë cfarë do të thoni ju? Të gjitha bashkë. Përmes satelitëve dhe dronëve inteligjentë do të kemi një kontroll mbi të gjithë lumenjtë e Shqipërisë dhe do të identifikojmë cdo lloj ndërhyrje të paligjshme në shtretërit e lumenjve apo kontrollin mbi mjedisin duke identifikuar në kohë reale cenimin e mjedisit.
Kështu që të gjitha këto shkojnë bashkë. Nuk do të çojmë satelitë për të bërë kërkime në Mars, na duhen sy inteligjentë të një kapaciteti që i tejkalon njerëzoret për të pasur informacion mbi territorin e vendit tonë dhe cdo ndërtim pa leje që bëhet në Shqipëri dhe jo duke e lënë në rrjedhën e inspektimeve. Me dronë dhe satelitët kjo gjë identifikohet të nesërmen” tha Rama.
Projektin Edi Rama e zbuloi dje në Parlament. Ai deklaroi se vitin e ardhshëm do të dërgojnë në orbitë dy satelitë “Albania 1” dhe “Albania 2” për të kontrolluar territorin, trafiqet dhe kufijtë. Ai theksoi se sa më shumë të hiqet kontrolli nga inspektorët aq më mirë do jetë./ Abcnews.al