Tirana po bëhet gati për ndeshjen kundër Dinamo Tbilisi, ndërkohë që është vendosur që kjo përballje të zhvillohet me 19 gusht, prej orës 19:00. Bardheblutë do kërkojnë të kalojnë në raundin tjetër dhe mundësitë janë, edhe pse luajnë në transfertë.
Veçse në fushë, Tirana po punon edhe jashtë saj. Presidenti Refik Halili është shprehur se do të ketë edhe tre afrime, por nuk ka zbuluar asgjë në lidhje me emrat apo pozicionet ku luajnë ata futbollistë. Përforcimi i sulmit është një nga objektivat.
Një ditë më parë Tirana ka zyrtarizuar mbylljen e bashkëpunimit me Ismael Dunga dhe Mario Morinën, ndërkohë që mbetet pezull Michael Ngoo. Bardheblutë ia kanë bërë një ofertë sulmuesit anglez dhe sot presin një përgjigje prej tij.
Nesër Tirana duhet të plotësojë listën me lojtarët që mund të luajnë në Champions League dhe normalisht do të lihet ndonjë vend bosh për ndonjë surprizë të momentit të fundit. Nga Ngoo presin përgjigjen përfundimtare. Gjithçka është në dorë të sulmuesit, i cili pretendon se ka oferta të ndryshme nga kampionate më të forta se Superiorja. /abcnews.al