Shqipëria e futbollit amator e nisi me fitore rrugëtimin në UEFA “Regions’ Cup”. Kuqezinjtë triumfuan në “Elbasan Arena” ndaj Armenisë (Vayk) me rezultatin e thellë 4-0. Golat e ndeshjes i shënuan Alushi (x2), Paci dhe Shehu.
Trajneri Ardian Haçi e nisi me këtë formacion titullar takimin ndaj Armenisë: Xhaferri (GK), Sokoli, Marindis, Imeraj, Pjetri, Shehu, Eshi, Kote, Londo, Alushi, Cibuku.
Alushi hapi serinë e golave për Shqipërinë në minutën e 12-të pas një ekzekutimi perfekt nga goditja e penalltisë, të fituar si pasojë e një prekje të topit me dorë brenda zonës.
Kontrolli i Shqipërisë u rrit në minutat në vijim dhe si rrjedhojë edhe rastet e krijuara. Në të 32-ën kuqezinjtë finalizuan një aksion perfekt, ku Paci rezultoi efikas në fund me goditjen me kokë nga brenda zonës.
10-të minuta më vonë, Shqipëria realizoi edhe të tretin. Shehu i vetëm përballë portierin armen u tregu i saktë.
Fillimi i pjesës së dytë u pasua sërish nga iniciativat e shumta të kuqezinjve, të cilët në sekondat e para të pjesës së dytë shënuan dhe golin e katërt. Alushi u bë përsëri protagonist duke realizuar golin e dytë personal dhe të katërtin për kuqezinjtë.
Në fund ndeshja u mbyll 4-0 për Shqipërinë që më datë 26 maj do të luajë dhe ndeshjen e dytë në raundin para-eliminator të UEFA “Regions’ Cup” ndaj Estonisë.
Nëse kuqezinjtë e mbyllin në vendin e parë në grupin A do të kalojnë në raundin e ndërmjetëm, ku do të kenë përballë Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë. /FSHF
Kalendari i ndeshjeve të raundit para-eliminator të grupit A në UEFA “Regions’ Cup”:
Armeni (Vayk) – Shqipëri 0-4
Estoni (Saue JK) – Armeni (Vayk) 23.05.2024 “Elbasan Arena” 17:45
Shqipëri – Estoni (Saue JK) 26.05.2024 “Elbasan Arena” 16:00