UEFA “mendon” për tifozët, vendos çmim tavan për biletat në tribunat e skuadrave udhëtuese

schedule15:10 - 3 Shtator, 2024

schedule 15:10 - 3 Shtator, 2024

Çmimet e biletave për ndeshjet e Champions League, sidomos ato të transfertave kanë qenë prej kohësh një temë e nxehtë polemikash, por edhe arsye për protesta të grupeve të organizuar të tifozëve të skuadrave të ndryshme.

Për të eliminuar njëherë e mirë këtë problem ka menduar organi qeverisës më i lartë në futbollin evropian, UEFA, teksa këtë të martë ka vendosur një çmim tavan sa i përket biletave për tribunat e tifozëve miq në ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në “kontinentin e vjetër”.

Kështu, çdo tifoz që do të ndjekë ekipin e tij në transfertë nuk do të paguajë më shumë se 60 euro për një biletë në tribunën e rezervuar për miqtë.

Po ashtu, qeveria evropiane e futbollit ka vendosur çmimet edhe për dy turnetë e tjerë, teksa në Europa League, biletat për tifozët udhëtues nuk do të shiten më shumë se 40 euro, ndërsa ato në Conference League 20 euro.

Ky vendim i UEFA mbyll njëherë e mirë këtë çështje të ndjeshme për tifozët dhe i jep fund abuzimeve nga ana e klubeve organizatorë, që kërkonin të fitonin më shumë nga shitja e biletave gjatë ndeshjeve në shtëpi.

Gjithashtu UEFA pretendon se me këtë vendim i bën ndeshjet e turneve të saj të rëndësishëm të futbollit europian për klube më të aksesueshëm për të gjithë, sidomos për  tifozët që duan të ndjekin ekipet e tyre në transfertë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!