Organi qeverisës i futbollit europian, UEFA, ka bërë të ditur emrat e shteteve që nuk mund të jenë në të njëjtin grup për ndeshjet kualifikuese në kuadër të kampionatit europian Euro 2020. Për rrjedhojë është konfirmuar se përfaqësuesja e Kosovës nuk mund të përballet me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
UEFA vlerëson se në një përballje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë mund të shkaktojë probleme serioze që kalojnë kufijtë e sportit. Prandaj edhe është shmangur mundësia që këto dy ekipe kombëtare të jenë në të njëjtin grup.
Kosova nuk do të luajë as kundër Bosnjës, në një skenar të ndikuar nga zhvillimet politike dhe incidentet që UEFA shpreson se në këtë mënyrë, do të shmangen.
Shorti për EURO 2020 do të hidhet më 2 dhjetor, ndërsa për herë të parë në historinë prej gjashtë dekadash të UEFA-s, do të zhvillohet në 10 shtete dhe 12 qytete. /abcnews.al