UEFA Grow mbledh përfaqësuesit e 55 federatave anëtare për të diskutuar risitë më të fundit

schedule13:56 - 7 Mars, 2024

schedule 13:56 - 7 Mars, 2024

UEFA mblodhi pak ditë më parë në Budapest përfaqësues nga të 55 federatat anëtare në një aktivitet me rëndësi siç është Konferenca “UEFA Grow – Komunikimi dhe Marketingu”, për të shkëmbyer njohuritë dhe inovacionet më të fundit teknologjike me disa lektorë dhe ekspertë mjaft të njohur nga e gjithë bota.

Ndër temat kryesore të diskutuara përgjatë tre ditëve të konferencës, ishte analizimi i evolucionit televiziv, përdorimi i Inteligjencës Artificiale për efikasitet operacional, strategjitë për të angazhuar audiencën dixhitale dhe moshat e reja, rritja e futbollit të femrave dhe maksimizimi i vlerës së sponsorizimit.

Gjithashtu, të ftuar specialë ishin edhe trajneri i  Portugalisë, Roberto Martinez, i cili ndau me të pranishmit idetë dhe eksperiencën e tij mbi komunikimin dhe menaxhimin e nivelit të lartë, si edhe shefi i arbitrimit në UEFA, Roberto Rosetti.

Federata Shqiptare e Futbollit u përfaqësua në këtë konferencë nga Drejtori i Departamentit të Komunikimit, Fatjon Kodra dhe Drejtorja e Departamentit të Marketingut, Fatma Gjini, ndërkohë që morën pjesë edhe përfaqësues të nivelit të lartë drejtues të UEFA-s.

Konferenca theksoi rolin qendror të UEFA-s në bashkëpunimin me të 55 federatat anëtare, pavarësisht nëse marrin pjesë ose jo në finalet e EURO 2024, për të krijuar një zë të bashkuar për turneun më të madh kontinental.

Nëpërmjet shkëmbimit të njohurive dhe ideve, UEFA po ndërton skenën e duhur për një turne që premton të jetë magjepsës dhe frymëzues, duke promovuar gjithashtu punën fantastike që secila prej federatave anëtare bën për të zhvilluar lojën.

Promovimi dhe zhvillimi i futbollit në të gjithë Evropën është në thelbin e UEFA Grow, një program i krijuar për të rritur futbollin evropian në mënyrë sistematike dhe strategjike në partneritet me federatat anëtare, duke i mbështetur ato që të jenë në gjendje të maksimizojnë potencialin e tyre të plotë si brenda dhe jashtë fushës. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!