Udhëtimi i fundit i prefektit/ Eshtrat e Qazim Mulletit u kthyen në atdhe pas 67 vitesh

schedule12:43 - 28 Gusht, 2023

schedule 12:43 - 28 Gusht, 2023

Këtë të hënë po mbahet ceremonia në nderim të Qazim Mulletit, i cili riatdhesohet pas 68 vitesh në Tiranë. Nderimet për ish prefektin kanë nisur që në orën 09:00, ku kanë marrë pjesë shumë qytetarë. Pas homazheve, do të ketë edhe një shërbesë fetare në xhaminë e Kokonozit.

“Familjarët e quajnë një lehtësim të shpirtit të tyre pasi riatdhesohet nga Roma në Tiranë. Nuk kanë qenë të shumta figurat publike që kanë marrë pjesë në nderimin e Mulletit. Ka qenë Lulim Basha, që edhe ai e ka cilësuar një figurë të rëndësishme anti komuniste por edhe vetë PD, siç tha ai në fjalën e tij, nuk ka bërë aq sa është dashur për t’i hequr dritëhijet që e shoqërojnë dhe baltën që është hedhur. Familjarët, nga ana e tyre, kërkojnë ridimensionimin e figurës pas prehjes së tij në tokën ku ka qenë edhe prefekt përgjatë viteve ’39-’40”, raportoi gazetarja Leontina Nikaj.

Arkmorti i ish prefektit mbërriti pak ditë më parë nga Roma në Portin e Durrësit përmes një trageti të linjës. Për ta pritur dolën të afërmit. Mbesa dhe nipi i ish prefektit të Tiranës thanë se këtë moment e kanë dëshiruar prej një jete.

Përfaqëues të Shoqatës Tirana thanë se me rikthimin i eshtrave në atdhe nis edhe puna për rehabilitimin e figurës së Qazim Mulletit, e anatemuar aq shumë gjatë komunizmit.

Rreth figurës dhe rolit që ka luajtur në Shqipërinë Zogiste, e më pas dhe atë fashiste ka pasur herë pas herë shumë debate e veçanërisht pas rivënies në skenë të Komedise Prefekti në vitin 1948./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!