Udhëheqësit perëndimorë kujdesen edhe për sigurinë e Ballkanit

schedule15:13 - 24 Mars, 2022

schedule 15:13 - 24 Mars, 2022

Në katër samitet e mëdha që gjatë ditës së sotme zhvillohen në Bruksel, e ku agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është tema kryesore, flitet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në Bruksel tashmë është zhvilluar samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s, ai i G7-s, ndërsa më vonë gjatë ditës do të ketë një takim të Këshillit Evropian me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e i fundit nis edhe takimi dyditësh i Këshillit Evropian.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, pritet që përkushtimi për bashkëpunim trans-atlantik të përfshijë edhe vazhdimin e punës së përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Si në BE, ashtu edhe në NATO, disa herë kanë tërhequr vërejtjen për kujdes në rajonin e Ballkanit për të parandaluar që lufta në Ukrainë të ketë ndikim negativ në rajon. Shqetësimi më i madh ka qenë për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Bosnja e Hercegovina do të jetë një prej temave në samitin e BE-së. Diskutimet do të zhvillohen edhe për situatën aktuale ku ndërmjetësimi i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të siguruar reformën zgjedhore dhe kushtetuese nuk po jep fryt. Tash BE-ja dëshiron që diskutimet të ngrihen edhe në nivelin më të lartë për të dërguar sinjal në rajon se ka rritje të shqetësimit por edhe interesim që të arrihet një zgjidhje, e cila do të zhbllokojë funksiononim e këtij shteti dhe të parandalojë eskalimin e situatës.

Një prej temave, për të cilat diskutohet vazhdimisht në Bruksel, e pritet të përmendet edhe në samitin e BE-së, është përshtatja e vendeve të rajonit të Ballkanit me qëndrimet e Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Kjo çështje është posaçërisht e ndjeshme në mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat i kanë mbështetur të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Serbisë.

Ka pritje në BE që edhe Serbia t’i mbështesë këto sanksione, por deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Disa vende të BE-së druajnë që vendet si Serbia dhe Turqia të mos shërbejnë si kanale për të anashkaluar disa prej sanksioneve ndaj Rusisë. Në anën tjetër, vendosja e sanksioneve Rusisë konsiderohet si dëshmia më e mirë për orientimin strategjik të vendeve të rajon./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!