Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka reaguar ashpër pas një vale sulmesh me raketa ndaj Izraelit, duke deklaruar se vendi i tij do të përgjigjet me “goditje të rënda” ndaj çdo sulmi izraelit.
Në disa deklarata të publikuara në rrjetin social X (ish-Tëitter), Khamenei akuzoi Izraelin për fillimin e një lufte dhe paralajmëroi se Irani nuk do të lejojë më që Tel Avivi të kryejë sulme “të stilit godit e ik” pa pasoja serioze.
“Regjimi sionist nuk do të shpëtojë pa pasoja nga krimet e tij,” deklaroi Khamenei.
“Kombit iranian duhet t’i garantohet se përgjigjja jonë nuk do të jetë gjysmake. Ne do t’i shkaktojmë Izraelit goditje të rënda.”
Deklaratat vijnë në një moment tensioni ekstrem në Lindjen e Mesme, teksa një numër i madh raketash dhe dronësh janë lëshuar drejt territorit izraelit, sipas burimeve ushtarake. Irani nuk ka mohuar përfshirjen, duke e prezantuar reagimin si “vetëmbrojtje ndaj agresionit izraelit”.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar i frikësohet një përshkallëzimi të gjerë të konfliktit, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin rajonal. / abcnews.al