Ekspozita e Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë, e cila u pezullua për shkak të pasaktësive, ka përplasur sërish deputetë të pushtetit dhe opozitës.
Rreth dy orë ka zgjatur mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku i ftuar ishte ministri për Vlerat e Luftës, Andin Hoti, i cili u pyet nga deputetët se cilat janë masat që janë ndërmarrë lidhur me këtë ekspozitë. Kjo ka nxitur reagimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët konsideruan se po bëhet politikë.
Para kësaj çështjeje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami ka kërkuar nga ministri Hoti ta kenë prioritetin kryesor atë të gjykimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Behrami tha se në rast se katërshja e UÇK-së dënohen, atëherë do të duheshin fonde për shkallët e tjera.
“Ju kisha lut si ministër i ri që të bisedoni me qeverinë që kërkesat që kanë ardhur nga mbrojtja që të paktën në këtë fazë të adresohen. Cili do të jetë angazhimi juaj konkret këta pak muaj deri tek verdikti i gjyqit për krerët e UÇK-së”, u shpreh deputeti PDK, Artan Behrami.
Ministri për Vlerat e Luftës, Andin Hoti deklaroi se vlerat e luftës i ka në familje.
“Unë as nuk i mësoj prej kurrkujt dhe as nuk i kam mësuar prej kurrkujt dhe as nuk jam mësuar prej kurrkujt çka janë vlerat e luftës çlirimtare. Unë jam rritur me to, jam lindur me to dhe jetoj me to. I kam në familje, brenda një shtëpie i kam të gjitha, qoftë heroin, qoftë dëshmorin, qoftë veteranin, qoftë të zhdukurin”, ka thënë ministri Andin Hoti.
Ai tha se beson që shumë shpejt ata që gjykohen në Hagë do të kthehen të lirë.
Edhe i mbijetuari i masakrës së Dubravës, njëherësh edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së Shkëlzen Gashit. Ai tha se “mashtruesi duhet të gjykohet për keqpërdorim”.
“Mashtruesi duhet të gjykohet për keqpërdorim dhe për vepër penale, sepse na ka terrorizuar dhe neve. 960 të burgosur kemi qenë. Diku 700 të burgosur jemi të gjallë sot, ka mundur të shkojë në Dubravë, është e hapur dera ta shoh lapidarin, emrat e secilit, pllakën aty, sa janë të vrarë, sa janë të plagosur, sa të mbijetuar”, ka thënë deputeti i PDK, Nait Hasani.
Ishin deputetet e opozitës që e ftuan ministrin e Vlerave të Luftës në Komision, si një tentativë për të tërhequr vëmendjen dhe mos të lejuar përdhosjen e figurave dhe vlerave te UÇK.
/abcnews.al/


