Administrata amerikane ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, për ndërhyrjen e saj në Ukrainë. Në pamje të parë, ky veprim minon përpjekjet e presidentit Trump për të normalizuar relatat me Moskën.
Pavarësisht se ka shprehur disa herë dëshirën, duket se presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump do ta ketë të vështirë të ripërtërijë marrëdhëniet e dëmtuara me Rusinë. Kjo, pasi administrata amerikane ka miratuar sanksione të reja për ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe për aneksimin e Krimesë.
Departamenti i Thesarit ka shtuar në listën e zezë 9 kompani ruse dhe 21 individë, mes të cilëve bien në sy: zëvendës ministri rus i Energjisë, Andrei Çerezov, i ndëshkuar edhe nga sanksionet e BE-së; shefi i kompanisë ruse Tekno-Prom-Eksport, që merret me ndërtimin e komplekseve energjitike; si dhe 11 separatistë pro-rusë të emëruar ministra pas vetëshpalljes republikë të rajoneve Donetsk dhe Lugansk.
Sanksioneve nuk u kanë shpëtuar as disa kompani ndërtimi të angazhuara në ngritjen e infrastrukturës në Krime. Pak ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, bëri përgjegjëse Rusinë se nuk kishte bërë sa duhet presion ndaj presidentit sirian Assad për shmangien e përdorimit të armëve kimike ndaj popullsisë. Një deklaratë kjo, që mund të vështirësojë edhe më tej normalizimin e marrëdhënieve./abcnews.al