U vra sot në atentat me tritol të telekomanduar, viktima pronar i një restoranti në Memaliaj (FOTO)

schedule16:54 - 11 Qershor, 2022

schedule 16:54 - 11 Qershor, 2022

27 vjeçari Aleksandër Sadikaj që u vra sot në dalje të Tiranës, pasi mjeti me të cilin ai lëvizte, shpërtheu me tritol të telekomanduar sipas të dhënave të QKB rezulton pronar i një restorantit “Sancho Farm” në Memaliaj.

 

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:35 minuta, në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut. Të parët që tentuan t’i jepnin ndihmën e shpejtë 27 vjeçarit, i cili lëvizte i vetëm, ishin udhëtarë të rastit.

Në vendngjarje mbërritën grupi hetimor dhe ekipi anti-eksploziv i RENEA-s. Nga veprimet paraprake, dyshohet se në mjet ishte montuar rreth 150 gram tritol. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikëses, mjeti u dogj plotësisht. Hetuesit dyshojnë se shkak i tritol vënies mund të jenë bërë konfliktet e vjetra të 27 vjeçarit Sadikaj, apo ndonjë konflikt që ai mund ta ketë pasur kohët e fundit.

Nga këqyrja e pamjeve filmike përgjatë zonës, dyshohet se autorët i kanë ndjekur lëvizjet e objektivit të tyre. Dyshimet janë se ata kanë udhëtuar me një mjet tjetër tip Benz C Class. I dyshimtë pranë makinës që udhëtonte Sadikaj, për hetuesit është edhe një motor, për të cilin policia po punon për të identifikuar shoferin e saj.

I riu me origjinë nga Berati dhe banues prej disa vitesh në Tiranë është person me precedentë të mëparshëm kriminalë në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.

Aleksandër Sadikaj, është arrestuar disa herë nga policia. Konkretisht, ai ishte akuzuar për dy vjedhje të ndodhura në vitin 2011 në Berat e në Vlorë. Në Maj të 2017 ai akuzohet për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, për të cilën u dënua me 8 muaj burgim.

Sadikaj ishte hetuar në vitin 2019 me masë arrest në burg për tentativën e vrasjes me dashje të një personi në Sarandë. Më 9 korrik të atij viti, Sadikaj, në bashkëpunim me një tjetër person, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë një shtetas. Po ashtu, policia kishte informacione në rrugë operative se 27 vjeçari kryente veprimtari edhe në fushën e narkotikëve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!