Vetëvraja e një 31 vjeçari në ambientet e Komisariatit të Kavajës mbrëmjen e së mërkurës ishte një tjetër lajm tragjik për shoqërinë shqiptare.
Ilvi Meta i cili ishte ndaluar ditën e mërkurë rreth orës 12:00 i ka dhënë fund jetës brenda qelisë duke u vetëvarur, vetëm 6 orë pas shoqërimit nga ana e policisë.
I riu u ndalua me akuzën për vjedhje, akuzë për të cilën ishte dënuar edhe më parë.
Burime për Abc bëjnë me dije se ndalimi i tij ditën e mërkurë ishte bërë pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në datën 2 prill në një banesë në Kavajë, për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash.
Sipas të njëjtave burime ai ishte identifikuar nga shenjat e gishtave të mbetura aty.
Ndërkohë menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë është ngritur një grup hetimor, si dhe kanë shkuar me urgjencë në Komisariatin e Kavajës Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Lorenc Panganika, dhe disa oficerë të SHÇBA-së.
Gjithashtu burime për Abc bënë me dije se pritet të ketë arrestime të oficerëve të policisë që kanë patur për detyrë ruajtjen dhe kujdesin ndaj personave të ndaluar.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe babai i viktimës Ilvi Meta, Agim Meta, i cili hedh akuza ndaj policisë, ndërsa ka deklaruar se djali i tij u akuza për vjedhjen e një dere alumini.
Po për këtë ngjarje ka reaguar edhe opozita përmes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të PD, Dashnor Sula, të cilën akuzojnë policinë, duke thënë se i riu nuk është vetëvrarë, por ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar brenda qelisë nga uniformat blu.
/Abcnews.al/