Franca u mposht pastër nga Danimarka në ndeshjen e fundit të grupit 1 në Ligën A në Nations League. Danezët ia dolën të fitonin 2-0 ndaj “Gjelave”, me këtë të fundit që janë të 3-tët në grup.
Një humbje që tekniku i Francës, Didier Deschamp nuk e bën dramë, teksa shprehet se në “Katar 2022” do të jetë një paraqitje ndryshe.
“Humbja nuk na pëlqen asnjëherë, por sot patëm shumë raste. Fakti që nuk i shfrytëzuam solli këtë rezultat. U mundova të korrigjoj diçka me modulin dhe lojtarët, por duhet thënë se edhe kur ne i bëmë gjërat mirë, Danimarka na u përgjigj me një mbrojtje po aq cilësore”, theksoi fillimisht tekniku i “Gjelave”.
Kur jemi vetëm një muaj e pak nga fillimi i kampionatit botëror, “Katar 2022”, dhe listën e lojtarëve që do ta bëjë publike si dhe paraqitjet ne skuadrës, Deschamp nuk ka dyshime se Franca do të jetë ndryshe nga ajo që është parë në Nations League.
“Për një kombëtare si e jona dëmtimet nuk mund të jenë alibi. Lojtarët me të cilët përballuam këto dy ndeshje do të na nevojiten në të ardhmen, por Franca e Botërorit do të jetë një tjetër, sidomos nëse arrijmë t’i rikuperojmë të gjithë.
Idetë do të jenë më të qarta pas një muaji. Si për mua, por sidomos për djemtë, të cilët edhe një herë dhanë maksimumin”, përfundoi Deschamp. /f.a/abcnews.al