Tri ditë pas futjes në listën e zezë amerikane, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar, se ka vendosur të tërhiqet nga politika dhe jeta publike.
Në një reagim përmes Facebook-ut, Grubi, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, bëri të ditur se për këtë vendim ka informuar edhe kryetarin e partisë së tij, Ali Ahmeti, “që nga dita e parë”.
“Unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, shkroi Grubi.
Ai theksoi, gjithashtu, se “sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta” e kanë shtyrë të marrë një vendim të këtillë.
“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”.