U shoqërua me forcë në SPAK për çështjen “Prenga”, Shullani: Më pyetën ku është kufoma

schedule10:51 - 16 Qershor, 2020

schedule 10:51 - 16 Qershor, 2020

Policia ka shoqëruar me forcë me kërkesë të SPAK Nikollë Shullanin, pajtuesin e gjaqeve, i cili ndërhyri për lirimin e Jan Prengës së rrëmbyer dhe vrarë më 17 janar të këtij viti.

Nikollë Shullani, babai i Gëzim Shullanit, një ndër personat e etiketuar nga blutë dhe nga prokuroria, si pjesëmarrës në grabitjen e 260 kg kokainë, në bashkëpunim me Astrit Prengën, vëllain e e Jan Prengës.

Nikollë Shullani ishte thirrur disa herë për të dhënë dëshminë e tij para prokurorit të çështjes dhe pasi nuk është paraqitur ky institucion ka ngarkuar Drejtorinë e Policisë Tiranë për të mundësuar shoqërimin e tij.

Përpara mediave, Shullani tha se nëse do ta dinte ku ishte kufoma e Jan Prengës, do t’ja tregonte familjes dhe se s’do ta mbante të fshehtë.

Shullani tregoi se nuk është marrë aspak me forcë dhe se madje ka pirë kafe me hetuesin. Shullani tha se ka tentuar të flasë me dy familjet por situata duket e acaruar, pasi familjes Prenga i kanë vrarë një vëlla.

 “Kam ardhur vetë me dëshirë, nuk jam shoqëruar me forcë. Ai që ka thënë këtë fjalë pastë fazen e zezë. Kam fol vetë me hetuesin  dhe më ka thënë do të njoftoj vetë kur duhet të vij. Dje në orën 10 jam paraqitur në Prokurorinë e Tiranës dhe kam dëshmuar për çështjen “Prenga”.

Në dëshmi më është kërkuar që të shpjegoj për familjen që kam shkuar të nxjerr pengun.

Nuk më është kërkuar të vij më. Hetuesja më tha që e kreva me këtë. Hetuesit më pyetën se ku kam qenë, me kë kam qenë, dhe kaq sa kam shpjeguar. Nuk kam më tepër informacion se ç’kam deklaruar në media. Më tha hetuesi që a di gjë se ty të besojnë njerëzit, a di gjë se ku është kufoma.

Po ta dija ku është kufoma, të merrja ty tani e të çoja. Ku di gjë unë ku është kufoma. Unë s’kam kontaktuat fare me familjen Prenga. Ata janë në Angli dhe vazhdojnë me punët e tyre. Askush nuk i ka shqetësuar në Britaninë e Madhe.

Jam i gatshëm të vij sa herë të duhem. Qëndrova nja një orë në hetuesi dhe më pas dolëm pimë kafe bashkë me hetuesin. Më thanë që ty të besojmë njerëzit dhe duhet të na tregosh. I thashë, më vjen keq për këtë që po dëgjoj, por nuk di gjë sepse do ua kisha çuar familjes. Jam përpjekur të pajtoj gjaqet por s’ka pasur rezultat. Gjendja është e acaruar, sepse u kanë mbytur vëllanë”, tha ai.

Më 13 shkurt 2020, thuajse një muaj pas ngjarjes, Shullani doli në media dhe mohoi akuzat e ngritura për djalin e tij, Gëzim Shullani.

Jan Prenga u rrëmbye në mes të ditës në rrugën London në Kamëz më datë 17 janar dhe ndërroi jetë disa orë më vonë pas goditjeve që mori. Trupi i Prengës nuk është gjetur ende dhe dyshohet se është groposuar pasi u vdiq në duar rrëmbyesve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!