Elvis Roshi përçan PD/ Shfaqet me Berishën, kandidatët e tjerë, kundër

schedule13:54 - 27 Prill, 2025

schedule 13:54 - 27 Prill, 2025

Pas shfaqjes së Elvis Rroshit në mitingun e Berishës në Kavajë, kandidatët e tjerë demokratë e kanë marrë mesazhin, dhe po mobiliziohen bashkë për të mbledhur vota, përballë kushëririt të tij.

Rudin Hylviu, një nga pesë kandidatët për këtë Bashki nga PD, njofton se është tërhequr nga kandidimi.

Ai do të bashkojë votat me kandidaten Loranca Hoxha, vajzën e ish-kandidatit për kryebashkiak të Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha.

“Ky vendim nuk ishte i lehtë, por rrjedh nga nevoja që të gjithë të jemi të bashkuar drejt një misioni më të madh dhe ai është përfaqësimi i Kavajës me një mandat në parlamentin e ardhshëm. Sistemi ynë elektoral është i ndërtuar në mënyrë të tillë, që matematikisht Loranca, si kandidate femër, është e vetmja që ka shancet të zgjidhet deputete. Me qëllim maksimalizimin e votës, emri im do të qëndrojë në fletën e votimit, por të gjitha votat duhet të shkojnë drejt emrit të Loranca Hoxhës.”, ka thënë Rudin Hylviu, kandidati i PD Kavajë.

Bashkimi i votave të këtyre dy kandidatëve, sfidon kushëririn e ish-kryebashkiakut socialist, Elvis Rroshi, që po synon të mbledhë votat e demokratëve në Kavajë.

Vetë Rroshi, pasi u shfaq i maskuar me kapuç në mitingun e Berishës, paralajmëroi se nuk ka frikë, dhe do të dalë hapur në fushatë.

“Unë nuk i fshihem askujt e nuk maskohem prej askujt. Unë isha në atë takim elektoral sepse unë mbështes kushëririn tim, djalin e xhaxhait, birin e Kavajës, Elton Rroshi.  Dhe për të mbështetur njeriun e familjes time, unë nuk kam as frikë, as drojë e asgjë tjetër”, tha Rroshi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!