Në vitin e fundit nga momenti kur u shënua rasti i parë i koronavirusit në Shqipëri jemi mësuar që në profilin e tij të gjejmë vetëm këshilla dhe sugjerime për të mposhtur sëmundjen. Por sot drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj sjell anën tjetër, të prindit krenar për djalin e tij që është në rrugën e mjekësisë. Ai thotë se djali po ndjek traditën familjare.
“Po bëhesh mjek! U rrite, u bëre burrë. Po bëhesh mjek. Po ndjek një traditë familjare, fëmijë mjekësh që bëhet mjek. Trashëgimtar i denjë që ka marrë këtë edukatë familjare nga dy mjek, nuk mund të jetë ndryshe! Deri këtu çdo gjë është mëse normale. Para se të bëhesh mjek duhet të jesh human!
Të kesh sensin e ndihmës për të tjerët, solidariteti është virtyti i parë, së bashku me studimet që nuk duhen ndërprerë asnjëherë në mjekësi. Të studiosh dhe të jesh human, të ndihmosh ata që kanë nevojë, nuk ka nevojë për diplomë apo liçenc!
Ajo që ti po bën me këtë shoqatë (Rainbow for Africa) me të cilën erdhe për të dhënë ndihmën për tërmetin në Nëntor 2019 në Shqipëri është rruga e duhur. Atë që ajo shoqatë vazhdon të bëjë për emigrantët dhe të gjitha shtresat e shoqërisë në nevojë është një mision, është një mrekulli, është për tu përgëzuar dhe admiruar.
Është një shembull për tu ndjekur. Prania dhe angazhimi i jot me kolegët e mi të kësaj shoqate më mbush me entusiazëm, më bën krenar, më bën të të admiroj. Shpresoj që jeta të ta shpërblej me të njëjtën monedhë biri im! Faleminderit” mbyllet postimi i tij./ db/ Abcnews.al