Gersi Troka, djali me sindromën Down që u rendit në 10-shen e notarëve më të mirë në botë

schedule11:29 - 11 Nëntor, 2022

schedule 11:29 - 11 Nëntor, 2022

Gersi Troka ka shënuar një tjetër sukses si notar. Ai ka shkëlqyer në kampionatin botëror të notit për personat me Sindromën Down që u zhvillua në Portugali. Gersi, i cili është i pari që përfaqëson shtetin tonë në këtë sport, është renditur në mesin e 10 notarëve më të mirë falë punës së tij të palodhur.

Ai ishte i ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, bashkë me trajnerin Gentian Lama. “Është e rëndësishme duke pasur se përfaqësohemi nga një sportist dhe shtetet e tjera përfaqësohen me më shumë. Kjo është hera e dytë që ne marrim pjesë dhe është një rezultat shumë i kënaqshëm për ne“, tha trajneri.

“E kam nisur notin rreth 9 vjeç. Nuk mund t’i ndalem notit dhe dua të korr vetëm sukses.”, u shpreh Gersi. Trajneri përmendi gjithashtu disa fitore të tjera të notarit në kampionatin evropian që u mbajt vjet në Çeki.

“Vitin e kaluar ne ishim në kampionatin evropian në Çeki dhe aty u rendit në vendin e parë në stilin 100 metër dhe në vendin e dytë në 50 metra stil i lirë. Këto janë dy medalhet që e rendisin Gersin në toplistën më të mirë të kampionatit evropian”, tha trajneri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!