Jeta e kryeministrit sllovak, Robert Fico nuk është më në rrezik, pas sulmit me armë me të cilin u përball ditë më parë.
Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Robert Kalinak të dielën, sipas mediave të huaja.
Fico ndodhet në spital që nga e mërkura kur një person i armatosur e qëlloi me 5 plumba, 3 prej të cilave e kapën në trup.
“Ai nuk është më në rrezik për jetën, por gjendja e tj vazhdon të jetë serioze dhe duhet të jetë në kujdes intensiv”, deklaroi Kalinak, aleati më i ngushtë politik i Ficos.
Kryeministri Fico iu nënshtrua një operacioni që zgjati rreth 5 orë të mërkurën dhe një tjetër operacioni të premten, të dyja në një spital në qytetin qendror të Banska Bystrica.
Personi i akuzuar për tentativë vrasje të kryeministrit ka dalë të shtunën para gjykatës.
I akuzuari, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71-vjeçar, e ka qëlluar me armë Ficon, pas një takimi qeveritar./abcnews.al


