Një balonë kineze, që ka fluturuar mbi territorin e Shteteve të Bashkuara javë më parë, ka arritur të mbledhë inteligjencë nga bazat ushtarake, disa ditë para se të rrëzohej, kanë raportuar mediat amerikane. Balona ka arritur t’i dërgojë Pekinit të dhëna në kohë reale, ka raportuar rrjeti NBC News, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Balona ka pasur qasje në sinjalet elektronike, por nuk ka bërë fotografi, sipas një zyrtari të cituar nga ky rrjet. Shtëpia e Bardhë nuk i ka konfirmuar këto raportime.
Mirëpo, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se SHBA-ja ka arritur të kufizojë kapacitetet e balonës për mbledhje të të dhënave të ndjeshme.
Ku ka fluturuar balona?
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se e kanë identifikuar balonën mbi Alaskë dhe Kanada, para se të kalonte në hapësirën ajrore amerikane, në fillim të muajit shkurt. Pas disa ditëve të përgjimit dhe spekulimeve, publikut i është bërë e ditur se balona është duke fluturuar mbi territorin amerikan.
Balona – rreth 60 metra e gjatë – është rrëzuar më 4 shkurt nga një aeroplan luftarak amerikan në ujërat e Karolinës Jugore. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se balona ka mbledhur të dhëna për motin, dhe se SHBA-ja e ka ekzagjeruar situatën, duke e rrëzuar atë.
Ky incident ka rritur tensionet diplomatike mes dy vendeve, dhe e ka detyruar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që ta anulojë një udhëtim në Kinë.
Disa javë pas rrëzimit të balonës, aeroplanët luftarakë amerikanë kanë rrëzuar edhe balona tjera, që është dyshuar se e kanë origjinën prej Kinës.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes, ka thënë se Kina operon me një flotë të balonave në botë./REL