“U përgjuan”, SPAK: Drejtori i Burgjeve bashkë me 2 të tjerë u arrestuan në flagrancë

schedule19:14 - 3 Prill, 2020

schedule 19:14 - 3 Prill, 2020

Gjatë paradites së sotme është arrestuar Drejtori i Burgut “313”, Eduart Struga, nën akuzën për veprën penale të korrupsionit. Abcneës.al mëson se urdhri i arrestit është lëshuar nga SPAK.

Dyshohet se arrestimi i tij është bërë për shkak të një tenderi.

Sëbashku me Strugën janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.

Me anët të njoftimi për median SPAK ka bërë me dije se hetimi ka nisur në datën 9 mars pas kallëzimit që ka bërë një person. Me metoda speciale të hetimit u bë e mundur që të arrestohen në flagrancë të tre personat.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.03.2020, mbi bazën e kallëzimit të një shtetasi, ka regjistruar procedimin penal nr.89/2020, për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Pas regjistrimit të procedimit penal u përdorën metoda proaktive dhe tradicionale të hetimit, falë të cilave, sot me datën 03.04.2020, strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. S., me detyrë Drejtor i IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë; shtetasin F. A., me detyrë Shef i Logjistikës i IEPV-së ″Jordan Misja″, Tiranë dhe shtetasin E. K., përfaqësues i një subjekti tregëtar. Shtetasit F.A., ju sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, shuma prej 100 mijë lek, objekt përfitimi të parregullt.

Funksionarët publikë të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij hetimi, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar dhe marrë shuma të konsiderueshme parash, (rreth 550 mijë lek) si përfitim i parregullt, në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregëtar në ambjentet e brendshme të IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë. Ndërkohë shtetasi E.K., i arrestuar në flagrancë, i ka dhënë funksionarëve publikë, si përfitim të parregullt, shuma të konsiderueshme parash.

Prokuroria e Posaçme falënderon kallëzuesin për kurajon dhe inkurajon çdo shtetas që të bëjë kallëzim në rastet kur zyrtarë publik abuzojnë me detyrën dhe kërkojnë përfitime të parregullta. Prokuroria e Posaçme falënderon gjithashtu dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të përfshira në hetimin e këtij rasti për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e treguar. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vazhdojnë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!