Koreograf dhe valltar, Mustafa Muçi, po mban gjallë traditën e valles në Patos.
“Populli, këtu i Patosit, ngaqë është i vogël, e admirojnë Pallatin e Kulturës, vijnë, dëgjojnë muzikë. E ndjen njeriu muzikën. Unë me këta çlodhem, më shtohet jeta.”
Jo vetëm kurset falas, por edhe veshjet popullore i ka siguruar vetë. Disa i ka blerë të gatshme, ndërsa të tjerat i ka qepur në shtëpi.
“Ishin disa shfaqje dhe më jepnin kostume ata. Duke parë përvojën e tyre, pse mos ta bëja unë garderobën, edhe fillova. Vetë i kam bërë, disa i kam blerë.”
69-vjeçari nuk ka studiuar për art, por të gjithë i thërrasin profesor. Me pasionin për vallen, në moshë të re, u bë pjesë e Ansamblit Popullor të Patosit duke kaluar më pas në drejtimin e tij.
“Unë e kisha vetë pasion, kam qenë vetë valltar”.
Pallati i Kulturës, i është bërë si shtëpi e dytë dhe duket sikur koha ka ndaluar për të. Nga vitet kur shfaqjet artisitike jepeshin dy herë në javë, nuk ka ndryshuar shumë gjëra sepse mjeshtri i valles, bashkë me grupet e ansamblit janë vazhdimisht në skena brenda dhe jashtë vendit.
Hap pas hapi, këto vajza të klasës së gjashtë, po shndërrohen në valltarë profesionistë duke performuar në skena të mëdha, megjithëse në moshë të vogël.
Me origjinë nga Dibra, Muçi performon vallet e jugut, madje ndonjeherë ia merr edhe labçes me grupin e polifonisë.
Protagonist në qindra valle dhe njëherazi koreograf, profesori i ansamblit të Patosit, jeton me emocionin e skenës ndaj nuk heq dorë nga puna e më shumë se dy dekadave.
Ansambli Popullor i Patosit është themeluar në vitet ’70 dhe ishte ndër më të njohurit në vend. Si qyteti i naftëtareve, Patosi u popullua nga banorë të zonave të ndryshme të vendit duke pasur kështu një larmi prurjesh artistike./abcnews.al