U mbyt në lumin Seman, i jepet sot lamtumira 14-vjeçarit nga Roskoveci

schedule11:07 - 12 Gusht, 2022

schedule 11:07 - 12 Gusht, 2022

Është përcjellë sot për në banesën e fundit 14-vjeçari E.Sakaj, nga fshati Suk i Roskovecit.

I mituri u mbyt në ujërat e lumit Seman dy ditë më parë, teksa ishte duke gjuajtur peshk.

Sot ai është përcjellë nga dhjetëra banorë të këtij fshati, të cilët i kanë dhënë lamtumirën e fundit të miturit.

Trupi i pajetë i të miturit u gjet ditën e djeshme pas më shumë se 24 orësh kërkime.

Ai kishte shkuar për të peshkuar në lumin Seman më 10 gusht dhe u fut për tu larë, por nuk arriti të dilte më.

Fillimisht policia gjeti rrobat e tij në anë të lumit dhe vetëm pak minuta më parë gjetën edhe trupin e pajetë në ujë.

Ajo që e bën edhe më të dhimbshme këtë vdekje ka të bëjë me faktin se 10 vjet më parë, në të njëjtin vend 14-vjeçari ka humbur edhe vëllanë e tij. Ky i fundit po ashtu u fut për t’u larë në lum dhe humbi jetën.

Duke folur për ABC, fqinjët rrëfejnë se familja është në kushtë të rënda ekonomike dhe më herët kanë humbur edhe babanë prej koronavirusit.

“Janë shumë hallexhinj, në punë dhe hall të tyre. Babai i ka lënë ka 4 vjet. Edhe një vëlla i është mbytur para 10 vitesh këtu. Këta me ndihmë ekonomike rrojnë, tani ia kanë ndërprerë fare. Kanaçe mblidhnin. Shumë çun i mirë ishte djali. E shikoja që gjuante këtu peshk. Nuk e kanë gjetur ende, do ta ketë marrë rryma.”

“Familje e mirë dhe punëtore, fukarenj. Ai çuni punoi disa ditë te unë, ishte djalë i mirë, i zgjuar dhe punëtor. Ka qepë duke kapur peshk. Do ketë rënë ose mund të jetë hedhur për tu larë, ai e di. Duhet që shteti të vejë dorë në këtë familje se janë më të varfrit. Nuk ngopin dot barkun me bukë. Kjo familja është më e varfra në zonë. Merrnin më parë ndihmë nga shteti, por tani nuk marrin.”

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!