Për 120 vjet një pikturë e Van Goghut, e cila ka një vlerë të llogaritur deri në dy milionë paund, ka qenë në një koleksion privat, e fshehur nga sytë e publikut, por tani ajo do të ndryshojë pronar, edhe pse nuk dihet destinacioni i ardhshëm i saj, sipas ilmessaggero.it.
Është një pikturë e titulluar “Koka e një gruaje”, e pikturuar nga impresionisti holandez Vincent Van Gogh (Zundert, 1853 – Auvers-sur-Oise, 1890) gjatë së ashtuquajturës “periudha Neunen”, midis 1883 dhe 1885.
Pasi ka mbetur në një koleksion ekskluziv për më shumë se një shekull, vepra është praktikisht e panjohur. Ajo do të shitet në shtëpinë e ankandit “Christie’s” në Londër më 28 shkurt.
Historia e një modeleje frymëzuese
Ashtu si piktura tjetër “Koka e gruas”, ajo paraqet portretin e fshatares Gordina de Groot, një grua pothuajse 30-vjeçare, subjekti më i përsëritur në veprat e krijuara nga artisti i mirënjohur flamand në periudhën Neunen kur ai pikturoi dhjetëra e dhjetëra fshatarë vendas.
Askush prej tyre nuk u portretizua më shpesh se Gordina.
Modelja frymëzuese u shfaq edhe në pikturën e famshme ”The Patatos Eaters”, e krijuar në 1885 dhe e ruajtur në muzeun ”Van Gogh” në Amsterdam.
Nuk ishte rastësi që, në atë kohë, në rrugët e qytetit Neunen u përhapën thashethemet se babai i fëmijës që Gordina kishte ishte në të vërtetë Van Goghu.
Por, kjo nuk u konfirmua kurrë nga personi në fjalë.
Sidoqoftë, sipas përshkrimit të raportuar në katalogun e Christie’s “edhe pse Van Gogh i mohoi me forcë këto pretendime, vepra aktuale megjithatë sugjeron një butësi të veçantë midis artistit dhe modelit, e dukshme në forcën e shikimit të tij”.
Odiseja e portretit
Portreti që do të shitet në ankand më 28 shkurt është një nga 40 pikturat që piktori la pas kur u nis për në Antwerpë në vjeshtën e 1885.
Ato u blenë të gjitha për vetëm një florin në vitin 1902, nga një tregtar antike në Breda dhe më pas u rishitën një vit më vonë te tregtari i Roterdamit, Christiaan Oldenzeel.
Prej tij, portreti i Gordinës u ble në vitin 1903 nga një bankier nga Haga, Henri Daniel Pierson. Dhe që atëherë piktura ka mbetur në koleksionin e familjes, pa asnjë ndryshim tjetër pronësie.
Përveç portretit, ka edhe dy portrete të tjera të Gordinës, njëri i ruajtur në muzeun ”Van Gogh” në Amsterdam dhe tjetri në Galerinë Kombëtare të Skocisë në Edimburg. Në të dyja pikturat, gruaja paraqitet me një kapelë të bardhë.