TIRANË- Analisti Skënder Minxhozi, ngriti shqetësimin për mungesën e transparencës rreth projektit të planifikuar në Zvërnec, duke e cilësuar këtë si një çështje delikate për shkak të ndikimit që projekte të tilla mund të kenë mbi mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe zonat e mbrojtura.
Ai krahasoi nivelin e informacionit të dhënë për aeroportin e Vlorës me atë të projektit në Zvërnec, duke theksuar se për këtë të fundit ka pasur shumë pak transparencë, pavarësisht se bëhet fjalë për një investim me vlerë shumë më të madhe.
Minxhozi tha në “Real Story” se projekti është trajtuar kryesisht në kuadër të rëndësisë së tij gjeopolitike, ndërsa ka munguar prezantimi i detajeve konkrete për publikun.
“Problemi i transparencës është një problem delikat, sepse çështjet e zhvillimit e sektorit turistik, që prekin trashëgiminë kulturore, ambienti dhe shumë gjëra të tjera, zona sensitive, kërkojnë veç të tjerash komponente komunikimi.
Këtu e themi thënë nëse për aeroportin e Vlorës t’i futesh në internet dhe gjen dhjetëra, në mos qindra raportime, dokumentar, intervista se si do jetë ende pa u hedhur asnjë lopatë asfalt, për këtë projekt që vlen shumë fish më shumë.
Ky u mbajt me këtë komponent të gjeopolitike, u mbajt disi i mbyllur. Ka ardhur koha që të kemi një vetëdije tjetër sa i përket ruajtjes së natyrës në tërësi, këtë do ta shohim dhe do ta provojmë në negociata e vështira që do kemi në kapitull përkatës të aderimit, sepse ndodhemi në një kontinent, ku ambientalizmi është një lloj “feje” e padeklaruar dhe e rëndësishme që është deri në fanatizëm”, tha Minxhozi./abcnews.al


