Will Smith bëri xhiron e botës me shuplakën që i dha komedianit, Chris Rock të dielën mbrëma në Oscar 2022. Pas bujës së madhe, aktori doli me një deklaratë, ku kërkoi falje ndaj komedianit ndërsa e cilësoi sjelljen e tij agresive si të pafalshme.
Ky incident ka sjellë sërish në vëmendje deklaratat që bënte Smith kohë më parë për babain e tij. Në librin e tij, që solli pak muaj më parë, ai tregonte se si babai i tij dhunonte të ëmën kur ishte në një moshë shumë të vogël.
Ylli i kinematografisë pranonte se gjithmonë e kishte menduar veten si një frikacak për të ndaluar të atin. “Kur isha 9 vjeç, pashë babain tim duke goditur nënën time në kokë aq fort sa u rrëzua. E pashë gjakun përtokë.“, shkruante aktori. Will kujtonte se si ndihej për babain vite më vonë, pasi u diagnostikua me kancer.
“Një natë, ndërsa e çova nga dhoma e gjumit drejt banjës, një errësirë u ngrit brenda meje. Si fëmijë gjithmonë i thoja vetes se një ditë do të hakmerresha për nënën. Se kur të isha mjaftueshëm i madh, kur të isha mjaft i fortë, kur të mos isha më frikacak, do ta vrisja”.
/abcnews.al