Arrestohet 33 vjeçari i shpallur në kërkim për tentativën e trafikut të 101 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis drejt Turqisë.
Në kuadër të operacionit “Restart 11” i zhvilluar 2 ditë më parë, u arrestua E. K., 33 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj, Durrës.
Ka shkuar në 26 numri i të ndaluarve gjatë njëmbëdhjetë fazave të operacionit “Restart”.
Korçë -Vijon operacioni policor antidrogë i koduar “Restart 11”, i zhvilluar dy ditë më parë.
Lexo edhe: Kapen mbi 100 kg kanabis në Korçë, e kishin fshehur në shufra hekuri brenda kamionit
“Në vijim të punës për dokumentimin e plotë me prova ligjore dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit “Restart 11”, të zhvilluar më datë 03.08.2022, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim: E. K., 33 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj, Durrës”, informoi policia sot.
Ndalimi i tij u bë në zbatim të urdhrit të datës 04.08.2022, të nxjerrë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku u ndaluan shtetasit M .R., 58 vjeç, banues në Tiranë dhe A. M., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, të cilët me mjetin tip kamion të markës “Scania”, tentuan të trafikonin në drejtim të Turqisë, 101 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga ana e Policisë po vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
/Abcnews.al/