24-vjeçari nga Fushë-Kruja, i cili u kap me dy mina me telekomandë duke i transportuar drejt Lezhës, do të qëndrojë në burg pa afat. Arkil Selimi u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës dhe në seancën me dyer të mbyllura, mësohet se nuk ka dhënë asnjë shpjegim rreth veprimtarisë së tij dhe posedimit të minave.
Gazetari Gjergj Figuri raporton se gjyqtari Aldi Kareco, pasi dëgjoi palët në gjykatë, e cilësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të 24-vjeçarit dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Kujtojmë që 24 vjeçari nga Fushë Kruja u ndalua me 22 Mars në afërsi të Milotit, dhe pas një kontrolli, policia i gjeti dy mina me telekomandë, lëndë plasëse C4 për shpërthim në distancë, të fshehura në trup. Sipas policisë, i riu i montonte vetë minat me qëllim shitjen e tyre te grupet kriminale./abcnews.al