U kap me drogë në Muriqan, italiani: Nuk kisha dijeni, bombolat e oksigjenit i mora në Tiranë

schedule12:21 - 31 Gusht, 2020

schedule 12:21 - 31 Gusht, 2020

Mëngjesin e kësaj të hëne në pikën kufitare në Muriqan, janë sekuestruar 53 kilogram drogë e fshehur në bombola oksigjeni dhe është arrestuar një shtetas italian.

Burime për Abc News bëjnë me dije se lënda narkotike ishte fshehur në këto tre bombula oksigjeni. Shtetasi italian Kristiano Tarapini pasi është marr në pyetje ka mohuar të këtë lidhje me lëndën narkotike. Ai I tha grupit hetimor se bombolat e oksigjenit i ka blerë në Tiranë, sepse kushtojnë më lire se në Itali dhe i nevojiteshin per arsye mjekësore.

LEXO EDHE: 53 kg drogë në bombola gazi, kapet italiani në Muriqan

Tarapini kishte 4 ditë që kishte hyrë në Shqipëri përmes portit të Durrësit.

Nga burimet treguan se lënda narkotike do dërgohej në Milano të Italisë, ndërsa dyshohet se është marr në afërsi të Fushë-Krujës.

Grupi hetimor po punon për zbulimin e bashkëpunetoreve të shtetasit italian të cilët e kanë furnizuar me lëndën narkotike.

Njoftimi i policisë:

Muriqan, Shkodër

Policia Kufitare parandalon dhe godet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.

Arrestohet në flagrancë një shtetas italian që tentoi të trafikonte në drejtim të Italisë, 53 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër në PKK Muriqan, në zbatim të masave shtesë për rritjen e kontrollit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike që mund të zhvillohet në pikat e kalimit si pasojë e fluksit, bazuar edhe në analizën e riskut, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër parandaluan dhe goditën një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, drejtuesin e mjetit tip “Fiat”, shtetasin italian C. T., 60 vjeç, i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike.

Nga kontrolli i ushtruar në mjet, duke përdorur mjete të specializuara për evidentimin dhe zbulimin e lëndës narkotike, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën në një bombol gazi të futur brenda një bombole tjetër gazi, rreth 30 kg lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate.

Po në vijim të kontrollit të imtësishëm rezultoi se brenda dy bombolave gazi të futura brenda dy bombolave të tjera gazi ishin të fshehura 20 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate të mbështjellë me natriban.

Në cilësinë e pronës materiale janë sekuestruar 53 kilogramë lëndë narkotike marijuanë.

Pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Italian C. T., 60 vjeç.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve mbetur në tentativë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!