U hodhën nga treni për t’i shpëtuar zjarrit, 20 të lënduar, 3 prej tyre në gjendje të rëndë

schedule09:18 - 17 Gusht, 2022

schedule 09:18 - 17 Gusht, 2022

Rreth 20 pasagjerë kanë pësuar djegie, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë pasi u hodhën nga një tren, i cili u përfshi nga flakët pranë Castellon në veri-lindje të Spanjës, shkruan The Guardian.

Treni, udhëtonte nga Sagunto në provincën lindore të Valencias, për në Zaragoza, por shoferi ndaloi dhe po përpiqej të kthehej duke parë që situata e zjarreve po përkeqësohej.

Një numër pasagjerësh, nga frika se treni do të përfshihej nga zjarri, u frikësuan dhe thyen xhamat për të shpëtuar. Dy nga personat me djegie më të shumta u evakuuan me helikopter ndërsa të tjerët, mes tyre një vajzë rreth 10 vjeç, u dërguan në spitalet aty pranë.

Sipas shërbimeve të urgjencës, një grua 58-vjeçare është ndër personat që ka pësuar djegie më të rënda.

Kryetari i Valencias, Ximo Puig, tha se më shumë se 1,000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve në Valencia, duke shtuar se dy zjarrfikës kishin pësuar gjithashtu djegie.

Valencia është rajoni i fundit që ka përjetuar zjarre më të mëdha gjatë valës së zgjatur të të nxehtit të Spanjës që ka shkatërruar mijëra hektarë tokë.

/abcnews.al