U hapte “rrugët” klandestinëve, zbulohet koka e grupit kriminal, siriani që “kamuflohej” si shqiptar

schedule15:02 - 21 Janar, 2022

schedule 15:02 - 21 Janar, 2022

47 persona, nga të cilët 25 vetëm në Shqipëri, janë vënë në pranga gjatë një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga vendet e lindjes së mesme drejt Bashkimit Europian. Hetimi u krye nga një skuadër e përbashkët hetimore e krijuar midis autoriteteve Shqiptare, Greke dhe Italiane. Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin.

Abcnews.al ka zbardhur një nga episodet e trafikut të klandestinëve, që tregon se si zhvillohej trafiku nga Shqipëria drejt Italisë. Nga ky episod ka rezultuar se koka e trafikut të klandestinëve në Shqipëri është siriani Abu Ahmed Sulltan.

SKEMA e një episodi nga Shqipëria në Itali

Më 23 prill 2020, një patrullë e Lecces, Itali, ka kapur 32 (tridhjetë e dy) emigrantë të paligjshëm, me kombësi Siriane, Egjiptiane, Palestineze dhe Irakiane, (ndër to gra me femijë). Pasi janë ndaluar, ata janë transportuar në qendrat e pritjes nga autoritetet policore italiane për identifikim. Në të njëjtën kohë, në brigjet shqiptare po gjurmohej një gomone, e cila dyshohej se kishte bërë transportin e këtyre emigrantëve nga Vlora, në drejtim të Italisë. Pas shkëmbimit të informacionit midis 2 shteteve, është bërë i mundur sekuestrimi i një mjeti lundrues tip gomone me, dy persona në bord.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Lecces, dhe Prokuroria e Posaçme ka rezultuar se personat e ndaluar kanë udhëtuar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Itali, me gomone, nëpërmjet detit dhe dy personat e arrestuar në flagrancë në Shqipëri janë pjesë e grupit kriminal që merrej me ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Dy personat e arrestuar në flagrance janë te dyshuarit Dushan Myfit Spahiu lindur dhe banues në Vlorë dhe Paulin Viktor Koçi lindur dhe banues në Vlorë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se emigranti sirian, Abu Ahmed Sulltan, me banim në Tiranë,  është një ndër personat kryesorë të grupit të strukturuar kriminal, i cili siguron shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tjerë. Ai i ndihmon për të udhëtuar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Itali dhe më pas në vendet e tjera të BE-së, kundrejt vlerës 4500-5000 euro. Në vijim të shkëmbimit të të dhënave me autoritetet italiane, është dokumentuar fakti se shtetasi sirian numrin e telefonit e kishte regjistruar në emër të shtetasit shqiptar Shpëtim Fili dhe kishte një rol kryesor në këtë rrjet.

Në vijim hetimet kanë vazhduar me përgjime telefonike, kryerje vëzhgimesh dhe përgjimesh ambientale në vende publike etj. Si person i dyshuar si dhe lidhje e shtetasit Abu Salltan është edhe shtetasi Hazem Arad, me origjinë siriane, me qëndrim në Tiranë. Ndërkohë, me date 26 maj 2020 në një televizion në Shqipëri është transmetuar një emision investigativ i cili kishte të bënte me trafikimin e emigranteve arabe drejt vendeve të BE-së.

Gjatë emisionit është evidentuar prania e një grupi kriminal i cili dërgonte emigrante arabë drejt vendeve të BE-së si dhe Italisë me gomone, ku njeri nga personat me rol kryesor në grup, ishte Ahmed Sulltan për të cilin Prokuroria po kryente hetime. Në pyetje janë marrë disa egjiptianë. Abobakr Allam, ka shpjeguar se ka ardhur në Shqipëri në muajin mars të 2020, bashkë me dy shokët e tij Ahmed dhe Salem për herë të parë ka takuar Alas Maluned me kombësi Egjiptiane. Pasi ka biseduar për mënyrën se si do ikte në Itali, ka rënë dakord për të paguar një shumë prej 4500 euro për të shkuar në Itali nëpërmjet detit.

Ndërsa egjiptiani Ahmed Eissa, ka deklaruar se ka ardhur në Shqipëri muajin Janar të vitit 2020, pasi ka siguruar një vizë nga Ambasada e Shqipërisë në Egjipt. Pasi është pajisur me leje qëndrimi, ka filluar punë në Durrës në një kompani që merrej me konstruksione metalike. Pasi ka takuar Sulltan Ahmed, kanë rënë dakord me të që ai do i dërgonte në Itali. Në deklarimin e tij shtetasi Salem Shahabeldin ka shpjeguar se organizator i nisjes së tyre në vendet e BE-se ishte shtetasi Sulltan Ahmed.

Nga hetimet e kryera në Itali dhe Shqipëri, ka dyshime se organizator i këtij grupi kriminal për të ndihmuar emigrantët për të udhëtuar në mënyre të paligjshme nga Vlora për në brigjet Italiane është Abu Ahmed Sulltan. Në vijim të hetimeve është dokumentuar fakti se në të njëjtën datë që janë kapur 32 (tridhjetë e dy) emigrante të paligjshëm në zonën e Lecces, Itali, në Karaburun, është sekuestruar nje mjet lundrues tip gomone me dy persona në bordin e saj, dhe konkretisht personat ne hetim Paulin Koçi dhe Dushan Spahiu. be.k/abcnws.al