U hapën dyert në 1999, biznesmenët kosovarë ndihmojnë banorët e Kukësit

schedule16:59 - 28 Mars, 2019

schedule 16:59 - 28 Mars, 2019

Edhe më herët, por që pas eksodit të kosovarëve në vitin 1999, Kukësi është nga rajonet që nuk njeh kufij me Kosovën. Vetë banorët në dy anët kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta ne çdo fushë. Ndërkohe biznesmenë të Prizrenit kontribuojnë për të ndihmuar Kukësin.

Kosovarët nuk e harrojnë mikpritjen e kuksianëve në 1999. Për ta treguar ketë, biznesmenë të Kosovës, jo në pak raste japin para për ndërtimin e objekteve sociale.

Investimi më i fundit ishte një shkollë fillore, një kopsht dhe një ambulancë, të cilat u inaguruan në fshatin Bardhoc.

Kryetari i Bashkisë Bashkim Shehu, tha se, pavarësisht trarëve artificial, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më të bashkuar.

Ai u  bëri thirrje kuksianëve të mos e braktisin vendin duke thënë se:

Të gjithë atyre që kanë ikur më përpara nga Kukësi, u them të rikthejnë sytë nga Kukësi, sepse qarku i Kukësit ka mundësi të mëdha investimi”.

Nga Prizreni donator Arafat Abazaj  kujtoi pranverën e vitit 1999 kur kosovarët ne Kukës, gjetën strehë dhe mbështetje.

“Ishin këta qytetarë kur 20 vjet më parë, hapën shtëpitë e tyre, për strehimin e bashkëqytetarëve të kosovës të ardhur nga të gjitha krahinat”, shtoi ai.

 

Kryetari i Komunës Prizren, Mytaher Haskuka tha se ndjehet mire që një qytetar i Prizrenit po ia kthen të mirën kuksianëve me ndërtimin e këtyre objekteve.

 “Si Kryetar i Komunës së Prizrenit jam krenar që, një qytetar i saj, po ja kthen të mirën e para 20 viteve Kuksianëve,  me një objekt të tillë modern”.

 

Në këto ndërtesa do të edukohen mbi  50 nxënës të klasave të ciklit të ulët, si dhe fëmijët e kopshtit. Kurse shërbimin e parë shëndetësor në ambulancë do e marrin qindra banorë të fshatit Bardhoc, njëri prej fshatrave në kufi me Kosovën./abcnews.al