U futën ortak te karburanti, Dumani rrëfen si u vra Ervis Deda nga miku i tij: Gjithçka ndodhi për një vajzë

schedule23:18 - 19 Maj, 2022

schedule 23:18 - 19 Maj, 2022

Për vrasjen e Ervis Dedës Nuredin Dumani para hetuesve të Prokurorisë së Posaçme akuzoi Festim Qolin dhe Henrik Hoxhën, mikun e tij që e ndihmoi në ditën e përplasjes me armë në Elbasan. Mirëpo vetë Qoli e ka mohuar një gjë të tillë.

Rreth dy vjet para ngjarjes ka krijuar marrëdhënie shoqërore dhe pune me Festim Qoli. Fillimisht ata së bashku kanë blerë pikën e karburantit “Clasik” që ndodhet në lagjjen nr.14 në Durrës, ku Festim Qoli zotëron 49% të aksioneve ndërsa nëna e Dedës, Fatmira zotëron 51%. Festim Qoli dhe Ervis Deda kanë pasur edhe prona të tjera të përbashkëta të regjistruara në emër të Festim Qolit por gjatë vitit 2011 – 2012 Ervisi ka kërkuar që secili të marrë pjesën e tij prandaj ata kanë filluar veprimet që t’i ndajnë pronat ndërmjet tyre.

Ka rezultuar se veprimet për ndarjen e pasurive kanë filluar të sjellin pakënaqësi konflikt e mosmarrëveshje ndërmjet tyre. Një ditë para ngjarjes Festim Qoli dhe Ervis Dedaj janë takuar e kanë biseduar për probleme në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ervis Dedaj ka qenë i shqetësuar dhe ka mbajtur me vete armë (pistoletë) e cila është gjetur me fishek në fole brenda automjetit që është vrarë.

Nga hetimi i kryer ka rezultuar se, viktima Ervis Dedaj, më 5 qershor të 2012, paradite rreth orës 10:00, është nisur nga Durrësi në Tiranë, ku ka dërguar në shkollë të fejuarën e tij, pasi kishte provim.

Mbas këtij veprimi ata janë rikthyer në Durrës, ku sipas deklarimeve të personave të ndryshëm të pyetur nga ana e organit procedues, rezulton se ai fillimisht ka shkuar në lagjen nr.6, Durrës, ka lënë të fejuarën e tij tek shtëpia dhe rreth orës 14:45 minuta është nisur në drejtim të zonës Shkëmbi i Kavajës, Golem-Durrës.

Rreth orës 15:00 – 15:30, Ervisi ka shkuar në plazhin “Rio”, tek Shkëmbi i Kavajës pasi kishte marrë me qira lokalet dhe ambientet e këtij kompleksi ku ka qëndruar e ka biseduar për probleme të lokalit me dy persona me të cilët ka qëndruar rreth një orë dhe më pas ai i vetëm është larguar, ka dalë në rrugën dytësore Golem –Plepa.

Ka parkuar dhe më pas në këmbë ai është larguar nga automjeti dhe nuk është bërë e mundur të saktësohet vendi ku ka shkuar. Rreth një orë më vonë është rikthyer tek karburanti, ka hipur në automjet i vetëm dhe është nisur në drejtimin Plepa – Durrës, po në rrugën dytësore.

Në distancën rreth 80 m, nga vendi i nisjes, i është organizuar një pritë ku është ndaluar dhe është vrarë. Nga hetimet e Prokurorisë Durrës, është konkluduar se vrasja është kryer nga dy persona, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të qitura nga dy armë zjarri të ndryshme. Ervis Dedaj është vrarë brenda në autoveturën e tij, ndërsa autorët kanë përdorur një Fuoristradë.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale 3 copë tre copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, dhe 1 gëzhojë e kalibrit 7.65mm të cilat janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm pranë Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë.

Nga akti i ekspertimit mjeko–ligjor nr.50 datë 08.06.2012, mbi ekzekutimin e shtetasit Ervis Dedaj rezulton e provuar se: Në trupin e viktimës Ervis Dedaj u konstatuan 6 plagë me armë zjarri, vetëm me vrima hyrje si dhe një plagë tej shkuese në kokë me mbetje të trupit të huaj nën lëkurën e kokës.

Distanca e qitjes me saktësi shkencore nuk mund ta përcaktojmë, por duke u nisur nga veçoritë e vrimave të hyrjes, distanca e qitjes është jashtë veprimit të faktorëve plotësues të qitjes. Drejtimi i qitjes është nga e majta në të djathtë. Shkaku i vdekjes së Ervis Dedaj, ka qenë shoku i rendë traumatiko–hemoragjik.

Nga hetimi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, autorët e vrasjes së Ervis Dedaj, pas vrasjes kanë vajtur në vendin e quajtur “Kodër” të fshatit Arapaj-Durrës, në një ish Pikë Ushtarake kundër-ajrore, ku kanë djegur automjetin me të cilin kishin kryer vrasjen.

Nga ana e organit procedues, janë këqyrur dhe marrë pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë të lokaleve dhe bizneseve, në vendin ku është vrarë me armë zjarri, Ervis Dedaj, si dhe gjatë rrugës që dyshohet së është përshkruar nga autorët menjëherë pas kryerjes së veprës penale. Nga akti i ekspertimit teknik video-foto, datë 06.03.2013, ka rezultuar ndër të tjera me rëndësi se: Në regjistrimet filmike të kryera nga telekamerat e sigurisë të Hotel “Bleart” të ruajtura në dy “CD”, u konstatua një automjet i ngjashëm me automjetin BMV sipas fotografive të tabelës u konstatua një automjet i ngjashëm me automjetin “Mitsubish Pajero”.

Menjëherë pas ngjarjes është proceduar me përgjimin e disa numrave të telefonit të personave të dyshuar si autorë të mundshëm të veprës penale. Për nevojat e hetimit, janë kërkuar të dhënat analitike të telefonatave hyrëse–dalëse, si dhe të dhënat teknike lidhur me numrat e qelizave, vendndodhjen e tyre, konturet e territorit që mbulojnë, të përdorura (shfrytëzuara), për çdo bisedë për periudhën kohore te Janar – Qershor të viti 2012, për disa numra telefoni celularë. Nga eksperimenti me numra telefonash ka rezultuar se numri i Festim Qoli, është loguar para vrasjes së të ndjerit Ervis Dedaj, shumë pranë vendit të ngjarjes gjithashtu është loguar dhe në vendin fshatin “Pjeze” ku mendohet te jetë djegur automjeti pas vrasjes.

Festim Qoli, Eduart Serjani, Agim Gjini dhe Briand Muça janë marrë në pyetje në mënyre të hollësishme në lidhje me vrasjen e Dedajt. Qoli shprehet se Ervis Dedajn e kishte njohur në vitet 1995–1996 në Milano, Itali. Sipas Qolit, Ervisi është arrestuar nga policia italiane 1999–2000 ku ka bërë disa vite burg si dhe nga policia belge në vitet 2006 – 2007. Më pas, Ervisi është kthyer në Shqipëri, ku ka filluar të shoqërohej me Festim Qolin. Kështu Qoli deklaron se i ka marrë hua Ervisit një shumë prej 70.000 eurosh, ky duke qenë se nuk kishte mundësi t’ja shlyente, i kishte ofruar që t’i jepte në këmbim aksionet e karburantit, stacionuar në lagjen nr.14, Shkozet, Durrës.

Festimi deklaroi se Ervisin e kishte shok të ngushtë, por marrëdhëniet e tyre ishin ftohur, kur Ervisi i kishte treguar që dëshironte të martohej me një vajze, të cilën Festimi pretendon ta kishte pasur të dashur para se ta njihte Ervisi.

Festimi deklaron se shoqërohej me Ervisin çdo ditë, dhe një ditë para vrasjes kishin qenë bashkë duke pirë në një lokal në plazhit Durrës deri rreth orës 01:00. Sipas Festimit, Ervisi, i ishte dukur i shqetësuar, por nuk i kishte treguar shkakun se përse ishte në atë gjendje. Qoli ka deklaruar se pas kësaj vrasje kishte qëndruar për një kohë i fshehur pasi kishte dëgjuar se të afërm të Ervisit kishin vajtur me armë në pikën e karburantit duke e kërkuar Festimin për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e Ervisit. Qoli deklaron se nuk ishte ai autor i vrasjes së Ervisit.

/abcnews.al