Sinan Idrizi, që kur ka ardhur në Shqipëri, fjalët privatizim dhe gjyq i ka përdorur më shumë se çdo tjetër. Edhe pse e ka kërkuar me ngulm privatizimin e Flamurtarit, deri më tani nuk ia ka dalë. Veç kësaj, edhe me gjyqet nuk i ka ecur. Ka humbur në FSHF dhe FIFA plot dhe tani do të hapë një tjetër, kësaj radhe ndaj Elton Cale.
Idrizi e akuzon brazilianin për falsifikim dhe kërkon dëmshpërblim. Për “Panorama Sport” ai është shprehur: “Gjyqin e radhës e kemi me Elton Cale, i cili na ka mashtruar kur erdhi te Flamurtari. E dinim sikur ishte lojtar i lirë, por ka ardhur me dokumente të falsifikuara.
Cale na kushtoi 65 mijë euro, pasi paguam për kartonin e tij. Kishte shumë të drejtë miku im Safet Gjici kur tha se “Sinani u fut si fanti spathi”. Më ka gënjyer mua Cale dhe ka shumë të drejtë Gjici.
Ju e dini që ne e morëm, por nuk luajti derisa u zgjidh çështja dhe kjo ishte një kosto shtesë për ne. Meqë këta vijnë me tri fatura e me dokumente të falsifikuara, tani Cale të vijë dhe të përgjigjet në gjyq pse na ka mashtruar”. /abcnews.al