U dënua me 5 vite burg, zbardhet arsyetimi i Gjykatës për Saimir Tahirin

schedule12:05 - 8 Mars, 2022

schedule 12:05 - 8 Mars, 2022

Në zbardhjen e vendimit gjykatës së apelit thuhet se ndaj ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të aplikohet dënimi me shërbim prove, pasi vepra dhe rrezikshmëria e tij janë të larta.

“Edhe pse rrethanat familjare si dhe sjellja e të pandehurit pas kryerjes së veprës penale është e tillë që mbahen në konsideratë edhe nga gjykata e apelit ato, të vetme, nuk mund ta çojnë këtë gjykatë në përfundimin se ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri duhet të vendoset pezullimi i dënimit me burgim dhe vënia e tij në provë. Gjykata e apelit çmon të theksojë se këto rrethana nuk mund të vlerësohen të ndara nga shkaqet e tjera që përcaktojnë llojin dhe masën e dënimit, sikurse është rrezikshmëria e veprës dhe e autorit, të cilat sikurse u arsyetuan më sipër janë të larta për këtë të pandehur”.

Po kështu gjykata thotë se provohen lidhjet mes Tahirit dhe grupit të Habilajve që duke shpërdoruar detyrën ka lehtësuar aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike.

 “Ky i pandehur ka lejuar të përfitojë trajtim preferencial në formën e shërbimeve nga persona të lidhur me botën e krimit të organizuar (rasti i shërbimeve të kryera Skafit “Auras” nga ana e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj). Së dyti, i pandehuri z. Saimir Tahiri rezulton të ketë favorizuar të njëjtën persona të lidhur me botën e krimit të organizuar, duke lehtësuar kryerjen e veprimtarisë nga ana e tyre, nëpërmjet vënies në dispozicion të automjetit të tij Audi A8 me targa AA 003 GB, edhe pse kishte ligjërisht ende pronësinë e këtij mjeti, çka botërisht dihej si makina e ministrit. Kjo i ka garantuar atyre paprekshmërinë nga ana e forcave të rendit”.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës, tashmë i hapet rruga për rekurs në Gjykatën e Lartë që është paralajmëruar edhe nga avokatët mbrojtës të ish-ministrit Tahiri. Ai prej datës katër shkurt është duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit

( Lexo këtu arsyetimin e plotë )

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!