Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim në zyrë ish-deputetin e PD, Ervin Salianji, i cili u dënua dje nga gjykata me 1 vit burg.
Presidenca përmes një deklarate bën me dije se takimi u zhvillua me qëllim që Meta të njihet nga afër me shqetësimet e Salianjit në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.
Mësohet se Kreu i Shtetit e inkurajoi Salianjin, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij.
Njoftimi i plotë nga Presidenca:
Presidenti i Republikës Sh. T. Z Ilir Meta, priti sot në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Ervin Salianji, për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kreu i Shtetit e inkurajoi z.Salianji, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive.
Kreu i Shtetit e garantoi z.Salianji se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent./abcnews.al