Gjykata për Krimet e Rënda la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, të denoncuar në programin “STOP” për korrupsion dhe kërkim favoresh seksuale. Në paraburgim do të hetohet edhe psikologia Elona Meçani. Seanca për ta u zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa Hysi u pa të presë i qetë vendimin qe e izoloi në qeli.
Roland Hysi, gjyqtari i Fierit, i arrestuar pas denoncimit në programin “Stop” në TvKlan për marrje rryshfeti dhe kërkim favoresh seksuale nga një palë në gjykim, do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi të lërë të pandryshuar këtë masë sigurie dhënë në mungesë për të të mërkurën për të dhe psikologen Elona Meçani.
Seanca ku do të verifikohej masa e sigurisë “arrest në burg” dhënë në mungesë për Hysin dhe Meçanin, u zhvillua me dyer të mbyllura. Burime brenda sallës pohuan se Hysi nuk shfaqi pretendimet në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij, atë të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve”. Vetë por edhe përmes avokatit gjyqtari Hysi, i pezulluar tashmë nga detyra nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka pretenduar papërdorshmëri si provë të video-përgjimit të transmetuar në programin “Stop”. Avokati ka pohuar se mungon rreziku i largimit, apo i dëmtimit të provave. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe mbrojtja e psikologes Meçani, e akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.
Shpallja e vendimit u lejua të ndiqej nga gazetarët, por jo nga kamerat.
Teksa gjykata ndodhej në dhomën e këshillimit Hysi qëndroi në këmbë, herë me duar të kryqezuara e herë në xhepa, shtendosje që u vu re edhe gjatë shpalljes së verdiktit që e la në qeli.
Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga “ABCneës” gjykata vlerëson se për gjyqtarin Hysi dhe psikologen Meçani, ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale për të cilat akuzohen, ekziston rreziku i largimit, rreziku i dëmtimit të provave dhe fakti se mund të përfshihen në fakte më të rënda penale./abcnews.al